Gruevski në takim sekret tek Ivanovi

Kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski së bashku me Kiril Bozhinovskin, sipas informacioneve të A1on sonte është parë duke hyrë në kabinetin e presidentit Gjorge Ivanov.

Vizita e Gruevskit vjen pikërisht në momentin kur lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka siguruar 67 nënshkrime dhe Ivanov është i obliguar që t’ja dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë.

Edhe pse nuk ka informata zyrtare, Ivanov pritet që mandatin t’ia dorëzojë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili më është zgjedhur nga partia e tij si mandatar.

Ivanov, i cili arriti të ulet në presidencë përmes votave të VMRO-DPMNE-së, sot është paralajmëruar nga komisioneri i BE-së Johannes Hahn se mandatin duhet t’ia dorëzojë Zoran Zaevit, i cili ka siguruar, tashmë një shumicë në parlament. Kurse Gruevski nuk e ka pranuar realitetin e ri dhe ka bërë thirrje për respektim të vullnetit të popullit.