GRUEVSKI PESHON 230 MIJË EURO

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski disponon 230.000 euro, ndërsa ka paraqitur edhe tetë piktura të reja që kushtojnë dhjetëra mijëra euro. Gjithsej 180 mijë euro i ka kursyer derisa ishte kryeministër, ndërsa më shumë ka fituar gjatë vitit 2014 – nga 10 mijë euro në muaj. Komisioni për Antikorrupsion sot e publikoi fletë-pronësitë e deputetëve të rinj të Maqedonisë. Fletë-pronësia e ish-kryeministrit Gruevski, njëherësh lider i VMRO-DPMNE-së tanimë përsëri është publikuar për opinionin. Në faqen zyrtare të Komisionit për Antikorrupsion mund të shihen të gjitha fletë-pronësitë e zyrtarëve aktual në Maqedoni. Sipas të dhënave më të reja që Gruevski ka dorëzuar në Antikorrupsion, ish-kryeministri nuk disponon me pronë të patundshme, por vetëm para dhe piktura të shtrenjta. Nëse grumbullohen mjetet nga të gjitha kartelat bankare, del se Gruevski ka 48.265 euro, 7318 franka zvicerane, 250 dollarë, 600 paund dhe 10.036.572 denarë (163.196 euro). Nga kjo shumë, 8000 euro janë në emër të gruas së tij, Borkica Gruevska. Edhe pse është kryeministri më jetëgjatë në post në Maqedoni, ai nuk ka paraqitur asnjë pronë të patundshme – shtëpi apo banesë në emër të tij apo të bashkëshortes. Në listën e pronësisë, ai ka paraqitur 33 vepra arti në vlerë prej 10.975 euro, ndërsa nuk ka asnjë kreditë në asnjë nga bankat e vendit. Ndryshe, Gruevski kur e mori detyrën e kryeministrin, në vitin 2006, në Komisionin e Antikorrupsionit ai kishte paraqitur pasuri prej 43.000 euro, derisa atëkohë, mediat shkruan se është zyrtari më i varfër në Qeveri. Pas publikimit të fletë-pronësisë, LSDM e Zoran Zaevit pyeti Gruevskin se si është e mundur që, vetëm në 2015, sipas matematikës së mjeteve që ka paraqitur, për çdo muaj të kursejë nga 10.000 euro, ose 118.000 gjithsej? Veç kësaj, për vetëm një vit, akuzoi LSDM, Gruevski ka rritur edhe veprat e artit – nga 25 sa kishte në vitin 2015, në 33 tani së fundmi.  “Edhe më tej mbetet e paqartë se në emër të kujt është banesa ose banesat në rrugën ‘Pavel Shtave’ në Shkup, aty ku edhe jeton”, thuhet në reagimin e LSDM-së. LSDM opozitare në vitin 2011 pati zbuluar se në emër të nënës së Gruevskit janë katër banesa. Atëkohë, Komisioni për Antikorrupsion u arsyetua se nuk kanë asnjë metodë për hetimin dhe zbulimin nëse pohimi i LSDM-së është i vërtetë, pasi Gruevski nuk jetonte më me prindërit dhe se nuk është e obligueshme të hetojë pronat e nënës së tij. (koha.mk)