Gruevski: Platforma, për të lënë VMRO-në jashtë qeverisë

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në intervistë për numrin e nesërm të gazetës “Dnevnik” thotë se politikanë dhe diplomatë të huaj, përmes krijimit të platformës së përbashkët të partive shqiptare krijojnë atmosferë që ato të mos bëjnë koalicion me partinë e tij. Duke komentuar platformën, Gruevski thotë se dygjuhësia nuk u duhet shqiptarëve në Dellçevë apo viset tjera ku ata nuk jetojnë. Sipas tij shqiptarët më shumë kanë nevojë për punësime të reja, paga të mëdha dhe standard më të lartë. Megjithatë, ai, një ditë para se presidenti Ivanov t’ia japë mandatin, paralajmëron se do të tentojë të formojë Qeveri, por përkujton BDI-në se as anëtarësia e VMRO-DPMNE-së në vitin 2008 nuk ka dashur koalicion me partinë e Ahmetit, por se ata kanë qenë zgjedhja e tyre, për shkak se prapa tyre kanë qëndruar pjesa më e madhe e votuesve shqiptar.

  BDI-ja ka të drejtë të marrë çfarëdo vendimi. Por, nëse tani BDI-ja shkon në koalicion me partinë e dytë, në vend të asaj të parës, me atë që ka humbur në vend se me atë që ka fituar, kjo do të paraqesë vendosje të një praktike dhe tradite të re në Maqedoni, të cilës ne gjithsesi do t’i përshtatemi, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen – kanë thënë nga VMRO-DPMNE.

Duke e kërcënuar në mënyrë indirekte Ahmetin, Gruevski për “Dnevnik” shprehet se nëse VMRO-DPMNE-ja si parti fitimtare mashtrohet nga BDI-ja, shumë shpejt, pas kthimit në pushtet, siç shprehet, në dyer të mëdha edhe atë së paku dy mandate me radhë, nuk do të ketë çfarëdo obligimi gjatë formimit të qeverisë”.

  Nëse VMRO-DPMNE-ja si parti fitimtare mashtrohet nga BDI-ja, pavarësisht se cilat do të jenë arsyet për këtë, të jeni të bindur se së shpejti, VMRO-DPMNE-ja në Qeveri do të kthehet nga dera e madhe edhe atë së paku dy mandate me radhë dhe do të jemi pa kurrfarë obligimi gjatë formimit të Qeverisë – ka deklaruar Gruevski.

Për dallim nga VMRO-DPMNE-ja, në LSDM nuk duan të komentojnë asgjë për platformën. “Deri tani nuk kemi marrë kurrfarë dokumenti. Kur do ta marrim dokumentin, do ta shqyrtojmë dhe më pas partia do të prononcohet me qëndrim zyrtar”, shprehen nga LSDM-ja.