Gruevski: Struktura arsimore e popullatës shqiptare është më e ulët, gjë që është e lidhur direkt me punësimet

Ish-kryeministri dhe kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski në një intervistë për Express në mes tjerash ka folur edhe për nivelin e papunësisë tek popullata shqiptare në Maqedoni duke ju përgjigjur pyetjes ”Shkalla e papunësisë së shqiptarëve është dukshëm më e lartë sesa ajo e maqedonasve. A është kjo për shkak të diskriminimit, mungesës së kualifikimeve adekuate, apo një trendi negativ nga e kaluara?”, shkruan Telegrafi Maqedoni.

”Nuk kam të dhëna se shqiptarët në Maqedoni kanë një normë më të lartë të papunësisë sesa maqedonasit, por unë e di se struktura arsimore e popullatës shqiptare është më e ulët, gjë që është e lidhur direkt me punësimet. Çdo punëdhënës dëshiron të ketë të punësuar me njohuri dhe kompetenca më të mëdha. Kjo është arsyeja pse unë kam bërë shumë përpjekje dhe në pjesë më të madhe kam pasur sukses për të bindur dhe për të ndihmuar sa më shumë qytetarë që të jetë e mundur, për t’iu mundësuar arsimim sa më të lartë që të jetë e mundur. Ne kemi bërë arsimin e lartë, si dhe atë fillor, të detyrueshëm dhe pa pagesë. Ka pak vende në botë që kanë ofruar një mundësi të tillë. Ne kemi hapur shumë fakultete të reja, universitete dhe kemi ofruar mbulimin e të gjitha shpenzimeve për secilin qytetar tonin për t’u pranuar në një nga 100 universitetet e nivelit më të lartë në botë, me kusht dhe detyrim që të kthehen në Maqedoni dhe të jetojnë dhe të punojnë për të paktën 6 vjet në shërbimin civil ose sektorin privat, sipas zgjedhjes së tyre. Kjo vlen për të gjithë qytetarët, ne nuk kemi ligje diskriminuese për diçka që të jetë e vlefshme për maqedonasit dhe të mos zbatohet për shqiptarët, turqit, romët, serbët, boshnjakët, vllahët. Parakusht për punësim më të lehtë është arsimi dhe cilësia e tij. Universitetet në Maqedoni, sidomos disa prej tyre, kanë shumë punë për të bërë, për të fituar epitetin se janë cilësore.” është përgjigjur në mes tjerash Gruevski.