GRUPI I ARMATOSUR NGA SERBIA PLANIFIKOI TA KIDNAPONTE GJUKANOVIÇIN

Prokuroria Speciale Shtetërore e Malit të Zi me anë të komunikatës njoftoi se grupi prej 20 shtetasve serbë ngarkohet për dy vepra kriminale, ndër të cilat është plani për arrestimin e kryeministrit Milo Gjukanovic.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se nga fillimi i tetorit në Serbi dhe Mal të Zi është formuar organizatë kriminale me qëllim të ndikimit mbi pushtetin ligjdhënës dhe ekzekutiv në Mal të Zi. Dyshohet se plani i kësaj organizate ka qenë që në kohën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, me përdorim të armëve t’i sulmojnë qytetarët e tubuar para Kuvendit të Malit të Zi dhe nëpunësit e Drejtorisë së Policisë, e pastaj të pushtojnë hapësirat e Kuvendit, me qëllim që të shpallin fitoren zgjedhore të partive të caktuara politike”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Gjithashtu, thuhet më tej në komunikatë, “dyshohet se plani i organizatës kriminale ka qenë privimi nga liria i kryeministrit të Malit të Zi”, tranmseton Gazeta Express.

Sipas Prokurorisë, organizatori i grupit, ish-drejtori i Xhandarmerisë serbe Branisllav Dikiq, të shtunën herët në mëngjes ka ardhur në Mal të Zi me qëllim të realizimit të mëtejshëm të planit kriminal dhe komandimit me personat e armatosur me qëllim të pushtimit të Kuvendit dhe institucioneve tjera shtetërore.

Arrestimi i serbëve dhe ish udhëheqësit të xhandarmërisë ka ndodhur në ditën kur në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Kryeministri Millo Gjukanovic ka thënë se Mali i Zi nuk do të dorëzohet përballë asnjë agresori e as grupeve kriminale.

Ndërkohë, Kryeministri i Serbisë, Aleksander Vucic ka thënë se është i habitur se si ka ndodhur që arrestimet të ndodhin pikërisht në ditën kur po mbahen zgjedhjet malazeze. Ka thënë se në këtë rast s’ka dorë Shteti i Serbisë.

Megjithëkëtë, zyrtarët e Qeverisë malaziase kishin paralajmëruar mundësinë që të ketë tensione në këtë shtet për shkak të tendencave të Rusisë për të pasur probleme në këtë shtet.