Habiti jurinë në Turqi, Elita: Babai nuk më ka parë as në TV gjatë performancës, ja pse…

Elita, vajza e Arif Ziberit, liderit të “Elita 5” që bëri për vete jurinë e “The Voice of Turkey” me performancën e saj në gjuhën shqipe tregon emocionet e asaj nate në një intervistë për “Wake Up”.

“Kisha konkurruar aty para një viti por nuk më kishin marrë në telefon. Më kontaktuan, shkova dhe ja ku jam! Jam në një ëndërr! Më duket e pabesueshme sepse ka pasur me të vërtetë shumë konkurrentë. Më vjen mirë që kalova, edhe për faktin se doja t’i tregoja Turqisë që edhe ne shqiptarët jemi shumë të fortë”,- thotë ajo.

E ndodhur momentalisht në Tetovë, Elita tregon edhe një sekret të vogël, arsyen pse i ati nuk e shoqëroi në këtë garë. “Babi është pak frikacak nga avioni, e për më tepër, jam e sigurt që nuk do ta përballonte dot atë çast. Madje, ai nuk më ka parë as në TV gjatë performancës, për shkak të emocioneve. Di që në atë moment ka dalë prej shtëpisë, ngaqë nuk e përballonte dot”,- thotë ajo.

Përveç urimeve nga të njohur por edhe të panjohur, duket se Elita po i shfrytëzon këto ditë për të marrë ndonjë këshillë artistike për fazat e mëtejshme. Dhe padyshim ajo e ka mësuesin brenda shtëpisë, një ndër vokalistët më të preferuar në trojet shqiptare. Le të jenë këshillat e tij ato që do ta ndihmojnë të kalojë edhe në fazat e tjera të këtij talent-show.