Han: Plotësimi i kushteve për zgjedhje, kruciale

Një ditë para zbritjes së tij në Shkup, komisionari evropian për zgjerim Johanes Han ka deklaruar se qëllimi kryesor i kësaj vizite është vlerësimi i zhvillimeve politike, sidomos në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në 11 dhjetor. Ai pritet të inspektojnë edhe zbatimin e Reformave urgjente prioritare. Han do të zhvillojë takime me kryeministrin e vendit Emil Dimitriev, liderët e katër partive politike, Prokurorinë Speciale, si dhe disa përfaqësues të shoqërisë civile.

“Marrëveshja e arritur verën e kaluar nga të gjitha partitë kryesore politike në vendosjen e datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është një hap i mirë. Megjithatë ky është vetëm fillimi: Është e rëndësishme që kushtet për zgjedhje të besueshme të jenë plotësisht në vend dhe qytetarët të mund të marrin pjesë lirisht në zgjedhje. Do të takoj të gjithë bashkëbiseduesit politik, duke përfshirë edhe Prokurorinë Speciale dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar se si ta përshpejtojmë plotësimin e reformave urgjente të sundimit të së drejtës. Do të dëgjoj Prokurorinë Speciale se si po ec puna e saj dhe sfidat me të cilat përballet”, tha Johanes Han, Komisioner për zgjerim i BE-së .

Zëvendës/kryeministri për çështje evropiane Arbër Ademi, tha se vizita e zyrtarit të lartë evropian është konfirmim për perspektivën evropiane të vendit. Pavarësisht se është I vetëdijshëm për ngecjen e institucioneve në zbatimin e reformave, ai nuk beson se mund të shtyhen zgjedhjet.

“Vizita e euro-komisionerit Han në Republikën e Maqedonisë është konfirmim për perspektivën europiane të vendit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për të zbatuar të gjitha detyrimet të cilat rrjedhin nga marrëveshja politike sepse të njëjtën e konsiderojmë si një zgjidhje të vetme për të dalur nga kriza politike… Kuptohet se raport-progresi do të ketë edhe rekomandime, do të ketë edhe vërejtje për fusha të caktuara, e veçanërisht për fushën që kanë të bëjnë me reformat urgjente prioritare”, deklaroi Arbër Ademi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Këto komente Ademi I bëri pas përmbylljes së një projekti që ka të bëjë me përforcimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve organizative dhe institucionale për procesin e integrimit evropian të financuar nga BE-ja.

Agron Vrangalla