HARADINAJ: KUFIRI ËSHTË NË ÇAKORR

Kandidati për kryeministër, nga koalicioni  PDK, AAK, Nisma, Ramush Haradinaj ka thënë se besimin që ka arritur ta marr nga qytetarët dhe subjektet  politike do ta përdorë për të mirën e vendit.

Haradinaj, i cili njëherit është dhe Kryetar i AAK-së, ishte pjesëmarrës në memorialin përkujtimor në fshatin Jabllanicë të Komunës së Gjakovës me rastin e përkujtimit të 33 dëshmorëve rënë, përcjellë KK.

”Besimi që kam marrë nga qytetarët dhe disa subjekte politike do ta përdori për të mirën e vendit dhe jo për interesat politike të partisë”, u shpreh Haradinaj.

Në këtë fjalim, ai foli edhe për temat e ndjeshme aktuale në vend ku mes të tjerash tha se kufiri i Kosovës është na Çakorr ndërsa nuk do të ketë vend për Asociacion e as për Serbi në Kosovë.

“Kosova është e vogël nuk ka vend për asociacion, kufiri i Kosovës është në Çakorr, në Kosovë nuk ka vend për jug e për veri, në Kosovë nuk do të ketë vend për Serbinë”, ka thënë Haradinaj, i cili në këtë tubim ishte bashkë me partnerin e ri të koalicionit parazgjedhor, me ç’rast qysh në fillim të fjalimit, përshëndeti disa nga deputet e PDK-së të pranishëm.

Në këtë memorial ishte e pranishme kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila e cila dje gjatë ditës ka nënshkruar koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Insajderi.

Ndryshe, mbrëmë, pak para mesnatës, PDK ka arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhorë me AAK-në dhe NISMA-n, për zgjedhjet e 11 Qershorit.