Haradinaj lirohet me kusht

Kreu i AAK, Ramush Haradinaj është lënë në liri me kusht. Ish – kryeministri i Kosovës do të duhet të paraqitet dy herë në javë pranë autoriteteve franceze dhe nuk mund të largohet nga ky vend.

Vendimi u mor nga një gjykatë në Francë pas një seance të re dëgjimore, pas paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga autoritetet e Serbisë dhe një kërkese të palës mbrojtëse për lirimin e tij.

Autoritetet e drejtësisë në Serbi dorëzuan dy ditë më parë kërkesën për ekstradim Haradinaj, me akuzat e reja për “krime lufte në Kosovë në fundvitet e 90-ta ndaj popullsisë jo shqiptare”.

Pala mbrojtëse kërkoi lirimin e Haradinaj bazuar në gjykimin e përfunduar në Gjykatën për Krime lufte në ish-Jugosllavi, që ka trajtuar çështjet që pretendon pala serbe.

Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe, sipas tyre, për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.