Haradinaj: Preshevarëve duhet me ua dhanë shtetësinë e Kosovës

Lideri i AAK-së i nominuar për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka zhvilluar takim bashkëbisedimi me qytetarë në Gjilan.

Siç njofton AAK, Haradinaj me këtë rast tha se shteti i Kosovës është rezultat edhe i preshevarëve.

“Nuk ka logjikë që shteti ynë i Kosovës sot mos me i kuptuar drejt preshevarët. Nuk mundesh me i lanë në vendin e vet, duke ua refuzuar shtetësinë e Kosovës”, tha ai.

Haradinaj shtoi se ai ka thënë se duhet me ua dhanë shtetësinë e Kosovës, se dyshtetësia sot ekziston, e me këtë dyshtetësi mbesin në vatrat e veta, por edhe në Kosovë jetojnë si i ka hije, me dinjitet.

“Një ditë, një Kosovë tjetër, kjo punë është një minutë, një vendim. S’kemi me lejuar me u sjellë jodrejt ndaj jush. Ketë e keni vendim të marrur. Kur vjen dita, do të ndodh”, tha Hardinaj.