Haradinaj: Rrugën drejt BE-së do ta bëjmë bashkë me Shqipërinë

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj ka deklaruar në Tiranë se Kosova e ndjenë ende nevojë për ndihmë nga Shqipëria në sfidat tjera që e presin.

Haradinaj, në konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit në Tiranë të dy homologëve, tha se kosovarët asnjëherë nuk kanë qenë vetëm në rrugëtimin e tyre.

“Krejt rrugëtimin e Kosovës, ne nuk kemi qenë kurrë vetëm. Kuptohet së më së afërti na u ka gjetë Shqipëria, dhe këtë e ndjejmë edhe sot”, tha Haradinaj.

 

“Jemi te vendosur që rrugëtimin tonë drejt BE ta bëjmë së bashku me Shqipërinë. Jemi të gatshëm që këtë respekt ta zgjerojmë”, tha kryeministri i Kosovës pas takimit me Edi Ramën.

“Rrugëtimi ynë si shtet, prapë është sfidë, dhe edhe këtu e ndjejmë Shqipërinë, me ndihmën që na përcjell”, ka deklaruar shefi i ekzekutivit të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se gjatë pritjes që homologu i tij Edi Rama i bëri në Tiranë, janë dakorduar që kalimet kufitare mes dy vendeve të kthen në kalime të zakonshëm. Po ashtu, Haradinaj përmendi edhe për portin e Durrësit, dhe lehtësimet në që të mos ketë më pengesa të ndryshme administrative.

Haradinaj tregoi se e mirëpret edhe vendimin për mbledhje të përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, e cila parashihet të mbahet këtë vit në Korçë, më 27 nëntor.