Haxhi 2017: Arabia Saudite vendos shtimin numrin e pelegrinëve këtë vit

Në prag të finalizimit të punëve në zgjerimin e vendeve të shenjta, Arabia Saudite ka miratuar këtë javë një rritje prej 40 për qind të numrit të pelegrinëve të cilët do të mund të kryejnë haxhin gjatë këtij viti.

“Qeveria, duke ndjekur direktivat nga kujdestarët e dy Xhamive të Shenjta miratoi vendimin për rritjen e numrit të pelegrinëve që jetojnë në Arabinë Saudite dhe jashtë vendit në përputhje me rregulloret në fuqi”, tha Adel Al Turaifi, ministri për kulturë dhe informata pas takimit të ministrave të hënën, njoftoi Gulf News të martën, me 10 janar.

Vitin e kaluar, 1,862,909 muslimanë kanë kryer zyrtarisht haxhin brenda dhe rreth Mekës.

Rritja prej 800,000 ose 42 për qind, do të sjellë numrin e përgjithshëm të pelegrinëve në 2.6 milion.

Njoftimi vjen pas publikimit të një raporti javën e kaluar ku thuhej se Arabia Saudite do të rrisë numrin e njerëzve të cilët do të mund të kryejnë haxhin këtë vit, me arsyetimin se “vendet e shenjta tani janë më të përgatitur tashmë për të pranuar më shumë pelegrinë”.

Rritja e numrit të pelegrinëve është e para që nga një vendim i vitit 2013, kur është ulur kuota e haxhinjve për 20 për qind për secilin vend, pasi puna rreth zgjerimit të Xhamisë së Madhe në Mekë kishte kufizuar hapësirën në dispozicion dhe kishte shkaktuar mbipopullimin e tyre.

Pas zgjerimeve të reja, Xhamia e Madhe mund të strehojë 48.000 pelegrinë në orë. Numri u zvogëlua në 20,000 në orë gjatë tre viteve të fundit për shkak të punimeve ndërtimore.

Muslimanët nga e gjithë bota vërshojnë në Mekë çdo vit për të kryer Haxhin, një nga pesë shtyllat e Islamit.

Një kuotë e re për Haxh është vënë mbi sauditët dhe gjithë të huajt që jetojnë në Mbretërinë Saudite, duke reduktuar numrin e tyre me 50 për qind. Autoritetet kanë ndaluar kryerjen e haxhit më shumë se një herë në pesë vjet për secilin person.

Çdo vend musliman ka një kuotë të Haxhit prej 1000 pelegrinësh për n- milion banorë, ndërkohë që kontingjenti më i madh i tyre vjen nga Indonezia. /tesheshi.com/

KOMENTET TUAJA