Hebrenjtë në Shqipëri

 

Hebrenjtë në Shqipëri
Pjesa dërrmuese e hebrenjve të Shqipërisë janë me origjinë nga Janina. Në të parin prej tre reportazheve mbi ta zbulohet ky komunitet, dikur qendër e rëndësishme dhe e veçantë dhe për vetë botën hebreje.

Nga Altin Raxhimi (BIRN)
Sinagoga e vjetër Kadosh Jashan në Janinë, gusht 2016. Ajo qendër e komunitetit hebre të Janinës, nga i cili buron dhe komuniteti hebre i Shqipërisë | Foto nga : Altin Raxhimi
Sinagoga e vjetër Kadosh Jashan në Janinë, gusht 2016. Ajo është qendër e komunitetit hebre të Janinës, nga i cili buron dhe komuniteti hebre i Shqipërisë | Foto nga : Altin Raxhimi

Rrezik po të kishte qenë kjo sallë plot, pjesës më të madhe të njerëzve do u duhej të rrinin ndenjur përballë njëri-tjetrit dhe jo me fytyrë nga koridori që krijohet në mes, i cili është qendra e aktiviteteve. Kjo sepse çdo dy stola ndajnë të njëjtën mbështetëse. “Është jotipike për një sinagogë,” më thotë Allegra Matsa, nga më aktivet e komunitetit hebre të Janinës. “Tjetërkund stolat rreshtohen si në teatër.”

Në podium, apo bimà, është pesëdhjetëvjeçari Markos Batinos, fytyrës dhe zërit të të cilit ja heq kollaj njëzet vite. Gjatë javës, më thonë se s’u pat dukur në bakalikó-në, dyqanin e çikërrimave, e tij në rrugën “Josef Elija” që të përgatitej për të kënduar tekstet e Rosh Hashanasë, vitit të ri hebre, këtë katër tetor. Më ngjan paksa i tensionuar përpara këtij grupi vizitorësh amerikanë në kërkim të rrënjëve hebreje janjiote dhe vendasish. Thonë se hazani i zakonshëm është nëntëdhjetë e kusur vjeç dhe s’ka më takat, kështu që detyra i bie Batinos, njërit prej muzikantëve më të njohur të zonës.

Çdo fund shtatori dhe fillim tetori për Festat e Mëdha hebraike—për vit të ri dhe sidomos në ditën e pendesës, në Jom Kipùr—këtu mblidhen nga e gjithë Greqia, nga Amerika, Izraeli dhe vende të tjera. Për Kipur, hazani, kënduesi i lutjeve, vjen posaçërisht nga Athina. Por kur kallaballëku largohet, në qytet hebrenj mbeten sa ç’kanë gishta tre palë duar. Në ditë të zakonshme, duhet të lidhesh përpara me shoqatën, me Komunitetin Hebraik të Janinës, që të ta hapin derën e sinagogës.

Hera e parë që unë vë kipa mbi kokë dhe kjo prej atllasi të bardhë. “Si të duash,” më thotë Solomon Jakoeli para se të hyjmë. “Zakoni e do, por për ty nuk është e detyrueshme.” Dhjetë vjet më parë, kur me një grup gazetarësh kaluam në Ramallah për të takuar kryetarin e parlamentit palestinez, grave u patën thënë, “E detyrueshme nuk është, por kush do, mund të vërë shamitë mbi kokë!” Të gjitha i vunë me qejf të madh.