“Hesht” 7-vjeçarja që përshkruante luftën siriane përmes Twitter-it

Një vajzë 7-vjeçare nga Aleppo, e cila ishte bërë e famshme për shkrimet e saj në Twitter, është zhdukur nga rrjeti social, në një kohë kur ushtria siriane përparon me ofensivën e nisur kundër rebelëve.

E ndihmuar nga mamaja e saj, një mësuese, Bana Alabed shkruante në anglisht dhe përshkruante jetën e saj në qytetin e rrethuar nga lufta.

Por llogaria e saj u fshi të dielën, teksa trupat avancojnë në lindje të qytetit. Në shkrimin e fundit postuar nga mamaja e saj, thuhej: “Jemi të sigurt se ushtria do të na kapë tani. Shihemi një ditë tjetër, e dashur botë. Mirupafshim!”

Aleppo, qyteti i dytë më i madh sirian, është përçarë për shkak të konfliktit që ka pushtuar vendin. 7-vjeçarja Bana jetonte në zonën lindore të kontrolluar nga rebelët, që është bombarduar vazhdimisht nga ushtria, e cila vijoi avancimin e saj gjatë natës. Llogaria në Twitter e vogëlushes kishte tërhequr më shumë se 100.000 ndjekës.

Në të, nënë e bijë përshkruanin vazhdimisht gjendjen e civilëve të bllokuar në Aleppo-n lindore. Shkrimet e saj kishin tërhequr edhe vëmendjen e autores së serisë Harry Potter, JK Rowling, e cila i dërgoi librat e saj vogëlushes, që i pëlqente të lexonte për të harruar luftën.

Shumë njerëz kanë dërguar mesazhe pas fshirjes së llogarisë së vajzës, duke kërkuar informacione mbi vendndodhjen e saj./oranews