Historia e barrikadave që ndanë Mitrovicën ndër vite (Video)

Për dy muaj një mur befasues pak përtej cepit verior të Urës së Ibrit, e trazoi Mitrovicën si qytet, Prishtinën si kryeqendër të shtetit dhe Brukselin si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi.

Por, të dielën ai u rrënua pas një marrëveshjeje të Qeverisë së Kosovës me pushtetin lokal në veri të Mitrovicës. Këtë ujdi e garantuan evropianët e amerikanët.

Struktura prej betoni mbiu pa plan më 6 dhjetor dhe u bë temë kryesore e politikës vendore.

Shqiptarët menduan që serbët po e bëjnë atë për ta ndarë qytetin.

Kjo pjesë e ndjeshme e Mitrovicës ka qenë e ndaluar që qarkullim të lirë gjatë gjithë pasluftës, pothuajse.

Nga 2011 e këndej Ura ishte bllokuar fizikisht me një masë të madhe dheu e gurësh, duke izoluar veriun serb me jugun shqiptar.

Por, situata me pengesa ka mundur të jetë më e rëndë, qysh më 2001.

Atëherë kishte plane serioze për të ndërtuar një mur përnjëmend ndarës, që sponsorizohej nga ndërkombëtarët.

Në fakt, gazetarët Garentina Kraja e Nebi Qena kishin arritur të zbulonin një plan sekret të të huajve për këtë punë.

Dhe ai parashihte ndërtimin e jo një, por katër mureve në jug të qytetit. Ata do duhej të ishin deri në 2 metra e gjysmë lartësi dhe me parmakë përmbi.

Sipas artikullit që ishte botuar me 30 maj 2001, pengesat do të bëheshin për të kontrolluar turmat që mësynin veriun nga Jugu.

Vendimin për mure e kishte nënshkruar Komandanti i atëhershëm i Brigadës Multietnike të KFOR-it për veri, Erik Arnaud, dhe ishte dërguar në adresë të shefit rajonal të Unmik-ut Gerard Fisher.

Lajmi pati acaruar shqiptarët, të cilët nisën protestat, kryesisht te ura.

Ata pengoheshin të kalonin në veri, nga KFOR-i që mbronte hermetikisht urën, përtej të cilës ishin të ashtuquajturit Rojat e Urës.

Si përfundim, muret nuk ishin bërë. E Mitrovica nuk u nda me kësi pengesa. Por, dhjetë vjet më vonë, qyteti u bllokua në urën e ibrit, kur serbët hodhën aty shumë dhe e gurë. Kjo ndodhi pas tentimit të Prishtinës për të marrë kontrollin e veriut dhe pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Barrikadat mbeten deri natën mes 18 e 19 qershorit 2014. Mitrovica ishte zgjuar pa këtë bllokadë, e banorët e jugut po gëzoheshin.

Por, ura nuk u hap.

Serbët, të prirë nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur me ligjet e Kosovës, improvizuan këtu një park, të cilin e quajtën të paqes. Ai u bë temë e veçantë e bisedimeve të Brukselit mes Edita Tahirit e Marko Gjuriqit. Palët u morën vesh që me plan e para të Evropës, të bëhet revitalizimi i Urës dhe krejt hapësirës përreth.

Punët për këtë nisën me një vit vonesë. Tashti janë para përfundimit dhe gjendja pritet të normalizohet krejtësisht më 20 janar.

Ky zhvillim, sipas shefes së Brukselit në Prishtinë, Natalia Apostolova do të bëjë Mitrovicën një qytet të bashkuar.

Por, me murin e ri, zor se do të jetë kështu. Ose, të paktën në aspektin vizuel, një pengesë betoni do ekzistojë.