Homazh përmes vargjeve të Dritëro Agollit

Vebi Bexheti

Edije se kur do vdesish ,e pritje se do vijë ajo ditë, prandaj porosite:,, Pas dite do vdes, e bëmani gati kufomën”. Nuk dëshiroje ceremoni madhështore varrimi , prandaj e le me gojë që,,Askush mos mbajë fjalim në varreza”, i vetëdishëm se brenda turmës mund të ndodheshin edhe ata të ligët, e ti nuk i doje lotët e krokodilit dhe fjalimet fallco nga dyftyrëshit . Ti mësove shumë nga jeta, e deshe ate dhe i njohe tërë fshehtësitë e saj. Ajo të mësoi të rritesh, të jetosh dhe të plakesh, ajo të mësoi t’i heqish e t’i vësh dhëmbët, ta përdorish shkopin, i mësove të gjitha me lehtësi, por vetëm një mësim e konsideroje më të vështirë, ate se si vdiset:,,Pastaj më pret një mësim pak më i vështirë: Të mësoj edhe të vdes”…Por Ti më kot brengosej për mësimin e vdekjes, sepse e dije fare mirë si duhet të vdesë poeti, i vetëdishëm se i ngjan një lisi me krye nga qielli , dhe i armatosur me degë gjer në dhëmbë. Me kohë ta njohëm trimërinë dhe qëndrimin ndaj vdekjes, madje pa fije frike i dilje në ballë duke i thënë: Ja ku më ke! Asnjëherë nuk i ike përballjes me te:,, Dhe kurrë s’jam fshehur prej saj nëpër drizat; / Në qoftë se vjen ,dëshiroj të më marrë/ Në këmbë si lisat…”Ti që aq shumë e deshe tokën që e lëvrove e që i thure këngë, atë tokë që ia doje plisin dhe barin, nuk kishe drojë ta pyesish për vendin e varrit, pa e fshehur dëshirën që atë varr ta kishe diku mbi ndonjë përrua apo në ndonjë brazdë, ku ndoshta do ndalet ndonjë laraskë për të të sjëllë,,…lajme nga bota, /Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta, /E kyçur dera, me lloza porta…” Ti e dije se një ditë nuk do jesh në mesin e të gjallëve, e dije gjithashtu se atje në thellësinë e takës do jesh , përzier me dhe, në vendin pranë një guri me shkronja të zeza, me Epigrafin,,Po prehet një ish komunist”. E dije gjithashtu se poetucëve do u bjerë në sy ky shkrim dhe do thonë:,,Nuk qënka crrënjosur ky qen?”,e Ti me tërë fuqinë e zërit që do dalë nga thellësia e tokës, do përgjigjesh: Jam hiri, të zotin në libra e gjeni”!…Po ,vendi i poetit, pas shkuarjes së tij nga kjo botë, është pikërisht libri. Aty, në mesin e ndonjë fjale apo vargu , rri i fshehur ai, aty mund ta gjejë edhe gruaja , shoqja e jetës ,bashkudhëtarja besnike e tij, kur do jetë mërzitur shumë:,,Në raft të librave,kërkomë./ Atje do jem i fshehur unë,/ Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë…/Dhe unë do zbres,do vi pas teje,/ Ti si dikur me mallë do qeshësh,/ Si një blerim pas një rrëkeje”.Edhe në poezinë e fundit, me të cilën e mbylle veprimtarinë krijuese që shkëlqeu aq shumë, disa ditë para lamtumirës së fundit, Ti, i përjetshmi Dritëro,flet për vdekjen,e parandjen ate përmes shenjave që e paralajmërojnë se do vijë shpejt.Tharja e dardhës në oborrin e shtëpisë dhe shterrja e posit të madh tek avllia, atje ku e kishte koliben qeni i bardhë, ishin ndjellakeqe dhe të kobshme. Në këtë ambient që nuk jepte shpresë për jetë të mëtejshme, sepse më të vjetrit dhe i gjithë brezi nuk ishin në mesin e të gjallëve, Ti sërish qëndroje i pathyeshëm, mes miqëve të shumtë, ku nuk mungonin edhe ata tjerët , poetucët e sëmurë nga xhelozia:,,Por ka edhe të tjerë,madje edhe shumë,/ Që thonë:,, Ende ky gjallë”/ Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,/ Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!/ Kur gripi më zë i ngrenë veshët/ Dhe bëjnë sikur u vjen keq: ,,Vërtet i sëmurë”? Ti, poeti me fjalën mjaltë ,të veprës madhështore të ngritur mbi avullin e lavrës së tokës së Devollit , mbi lulet e bjeshkës, mes cicërimës së zogjve, hingëllimës së kuajve, blegërimës së dhenve dhe deshve me këmborë,Ti, poeti i gëzimit dhe shpeshherë edhe i hidhërimit dhe i filzofisë jetësore, kurrë nuk u frikove nga vdekja, sepse ishe i vetëdishëm se edhe pas shuarjes si njeri, vepra letrare e Dritëroit do shkëlqejë përjetshëm. Nëse vdekja e konsideronte veten mbretëreshë, Dritëroi ishte mbreti i fuqishëm në fronin e letërsisë: ,,Vdekja mbretëreshë e unë mbret/ Dehur bashkë natën do ta gdhimë.”