Hoti: Gruaja duhet të ketë rol qenësor në shoqëri

 

I nominuari për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, të martën takoi gratë e Gjakovës në konferencën “Gratë në politikë-bërje”.

Hoti në fjalën e tij ngriti lart rolin e gruas në shoqëri, duke thënë se gruaja duhet të ketë rol qendror në shoqëri. Ai këtë e shpjegoi me faktin se në vendet ku mbizotëron barazia gjinore  ka zhvillim më të madh ekonomik krahasuar me vendet tjera të cilat nuk i japin gruas të drejtat e tyre të plota.

Hoti: Gruaja duhet të ketë rol qendror në shoqëri

Video

“Unë ju garantoj se ato kanë me qenë zë i fuqishëm në Kuvendin e Kosovës.  Ka plot argumente pse gruaja duhet të ketë rol qendror në shoqëri. Të gjitha ekonomitë, të gjitha shoqëritë që kanë barazi gjinore kanë më pak konflikte dhe kanë më pak ndarje. Norma e zhvillimit ekonomik është më e madhe, shoqëritë janë më të qeta aty ku femrat janë të përfaqësuara më mirë se në vendet e tjera”, ka thënë Hoti.

Më tej, Hoti shpalosi katër shtyllat që ka përpiluar koalicioni LDK-AKR-Alternativa për fuqizimin e femrës në shoqëri.

Hoti: Gratë lehona do të kenë 12 muaj pushim me pagesë

Video

“Programi ynë për fuqizimin e gruas përbëhet prej 4 shtyllash. E para ka të bëjë për fuqizimin e gruas me ligj, me ligje efektive, të cilat zbatohen. Ne do të sigurohemi që të zbatojmë me përpikëri ligjet ekzistuese, të cilat sigurojnë pjesëmarrje të barabartë të grave në shoqëri, sepse ne kemi plot ligje, por kemi ngecje të tyre për të maksimizuar rolin e grave në shoqëri.  Do të sigurohemi që gratë të përfaqësohen jo vetëm me kuota në parlament, por edhe në institucione, diplomaci dhe institucione. Ne kemi parë edhe regjistrimin e pronave si bashkëpronësi, e kjo vlen edhe për pronat ekzistuese.  Shtylla e dytë ka të bëjë me mbështetjen e grave përmes arsimit, sepse ky në fakt është fundamenti i rolit të gruas në shoqëri.  Shtylla e tretë është mbështetja në shëndetësi dhe mbrojtja sociale. Në veçanti për gratë lehona, të cilat janë të punësuara ne programin tonë parashohim që ato të m arrin 12 muaj pushim me pagesë, jo duke e ngarkuar sektorin privat, por duke krijuar një fond të veçantë të cilin e marrim përgjegjësi ne si shoqëri. Për gratë lehona që nuk janë të punësuara ato do të marrin 50 për qind të pagës minimale në Kosovë.  Shtylla e 4-të ka të bëjë me ekonominë”, tha Hoti.

Për shtyllën e katërt Hoti tha se do të kenë kujdes të veçantë për viktimat e dhunës nga lufta, si dhe viktimat e dhunës familjare. Për raste të tilla, ai tha se do të kujdesen që të parandalojnë raste të tilla e jo vetëm të mbështesin viktimat.

Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, tha se komuna e Gjakovës i ka kushtuar një kujdes të veçantë grave që janë viktima të dhunës në luftën e fundit në Kosovë.

Ajo theksoi se Komuna e Gjakovës është duke aplikuar buxhetimin gjinor me ç’rast intensivisht është punuar që në komunën e Gjakovës të përcaktohet një buxhet ndaj kërkesave që kanë gratë dhe vajzat.

Lidhur me programin që kandidati për kryeministër shpalosi, Kusari-Lila u shpreh se ndjen kënaqësi që kanë qenë së bashku në pikat që janë përfshirë pasi që sipas saj edhe punën e saj në nivel lokal ka pasur prioritet pikat e lartcekura.

Kusari-Lila: Shpresojmë më shumë energji pozitive pas 11 qershorit

Video

“Ajo çka edhe ne jemi munduar në nivelin lokal përkon dhe lidh standarde të njëjta me atë se çfarë synohet të bëhet në nivelin qendror, shpresojmë më shumë zell, vullnet dhe energji pozitive pas 11 qershorit”, tha Kusari-Lila.

Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Lirie Kajtazi tha se si Forum i Gruas kanë gjetur përkrahjen maksimale nga i nominuari për kryeministër, Avdullah Hoti, i cili, siç tha ajo, ka mbështetur ndryshimet statutore brenda partisë, proces ky që ende ka punë pasi që ka gjetur bllokadë në kuvendin e partisë.

Sipas saj është e rëndësishme që politikat e hartuara janë pjesë e programit të Hotit.

Kajtazi u shpreh se ligji për barazinë gjinore ekziston, por ka ende punë pjesa e ekzekutimit të tij.

Kajtazi: Gruaja në sektorin privat është e diskriminuar

Video

“Ligji për barazi gjinore flet për formulën hyjnore 50-50të të pjesëmarrjes. Neve na mbetet më shumë të bëjmë në pjesën e ekzekutivit. Po ashtu, i kemi dhënë një rol të shtuar edhe Avokatit të Popullit që ta mbikëqyrë edhe sektorin privat ku edhe aty është i punësuar një numër i madh dhe fatkeqësisht kemi hasur që aty është një diskriminim të ndejshëm ndaj gruas. Prandaj, një kompetencë e tij më e shtuar ndihmon inspektoratin që është në politikat e LDK-së. Prandaj, ne të mos flasim veç për të drejtën në punë, por edhe për mos diskriminimin në punë që është standard drejt BE-së”, tha Kajtazi.

Edhe Albulena Reshitaj, kryetare e Forumit të Gruas nga Alternativa, barazia gjinore duhet të jetë prioritet i shoqërisë dhe strukturave shtetërore në Kosovë. Ajo theksoi se është për t’u përmendur fakti se në këto zgjedhje 40 për qind e kandidatëve janë femra, por që megjithatë mbetet shumë punë për t’u bërë për fuqizimin e gruas në shoqëri.

Megjithatë, Reshitaj u shpreh se beson në zërin e fuqishëm të femrës dhe në guximin që ajo ka në vendimmarrje.

Ndryshe, gjatë konferencës u tha se një fakt me rëndësi është se deputetet nga Grupi Parlamentar i LDK-së, kanë hyrë në parlament me vota të qytetarëve, e jo sa për të mbushur kuotat.

Granit Tërnava nga fondacioni mbështetës i konferencës së sotme “Konrad Adenauer Stifung”, tha se ky fondacion në fokus të veçantë kanë pasur punën me gratë dhe forcimin e tyre brenda partive politike e që siç tha ai, vitet e fundit partner kryesor kanë pasur Lidhjen Demokratike të Kosovës.