Hoti: Programi ynë do të sigurojë buxhet prej 3 miliardë euro

I nominuari për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka shpalosur të shtunën programin qeverisës para qytetarëve të Vushtrrisë. Ai është shprehur i bindur se koalicioni ofron 30 doktorë të shkencave në listën e kandidatëve për deputetë.

Në emër të LDK dhe koalicionit, Hoti kërkoi mbështetje nga vushtrriasit që më 11 qershor t’i japin votën këtij koalicioni, në mënyrë që të arrijë të realizojë programin, i cili sipas tij, siguron zhvillim ekonomik, të ardhura për të gjithë dhe jetë dinjitoze.

Hoti: Ky program do të sigurojë buxhet prej 3 miliardë euro

Video:

“Ky program ka me e siguruar një buxhet 3 miliardë që i plotëson të gjitha nevojat e juaja. Për të rinjtë për t’iu siguruar atyre arsim cilësor dhe për t’iu siguruar atyre inkuadrim në tregun e punës. Për të ju siguruar të rinjve dhe të rejave në Kosovë një vit përvojë pune me pagesë, si formë e tranzicionit të tyre në tregun e punës dhe punësim të qëndrueshëm. Unë kërkoj mbështetjen e juaj që të realizojmë këtë program që të mbështes idetë për biznes që kanë të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Ne kemi nevojë më shumë se kurrë të kemi një shtet të së drejtës, një qeveri që punon për gjithë qytetarët e vendit e jo vetëm për qytetarët që punojnë vetëm për politikanët. Ne kemi plan konkret për arsim, për t’u siguruar që nuk do të përsëriten rezultatet e dobëta të së kaluarës, një program për shëndetësi që kujdeset për njerëzit e sëmurë kronik, por mbi të gjitha mbështetje për njà « program për rendin dhe ligjin dhe për zhdukjen përfundimtare të aferave korruptive”, tha Hoti.

Ai po ashtu kërkoi mbështetje për të dërguar amanetin e presidentit historik Ibrahim Rugova për integrimin evropian të Kosovës.

Për më tepër, Hoti premtoi se do të merren edhe me demarkacionin me Malin e Zi  dhe me demarkacionin me Serbinë, ndërkohë që do të përkujdesen të mbajnë miqësinë me SHBA-të.

Listë me kandidatë të shkëlqyeshëm e ka quajtur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përbërjen e kandidatëve për deputet në listën e përbashkët të koalicionit.

Ai tha se me qeverisjen e ardhshme do të rrisin normën ekonomike në 8 për qind.

Mustafa: Do të punësohen të gjithë ata që janë në tregun e punës

Video

“Ne së bashku me Hotin dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kemi arritur një rritje ekonomike prej 4 për qind. Ne besojmë që ky koalicion do ta dyfishojë dhe do ta bëjë 8 për qind ashtu siç e tha kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Kemi filluar trendin pozitiv të rritjes, punësimit dhe uljes së papunësisë. Por kemi besim të plotë se qeveria e ardhshme e këtij koalicioni do ta arrijë  të pranojë që gjithë ata që hyjnë në tregun e punës dhe të zvogëlojë po ashtu për një kohë shumë të shkurtër numrin e papunësisë në Kosovë. Kemi rritur pensionet deri në 70 për qind , por premtimet reale i kemi nga ky koalicion me kryeministrin e ardhshëm, se këto do të rriten edhe më shumë në të ardhmen”, tha Mustafa.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, premtoi që studentët, të cilët e përfundojnë fakultetin me nota të larta do të punësohen menjëherë.

Pacolli: Çdo student me diplomë do të punësohet

Video:

“Jam i lumtur që tani ju kemi bashkuar familjes së madhe Rugoviane. Unë dua të punoj me kryeministrin e ardhshëm Avdullah Hoti. Ne vumë synim që çdo i ri kreativ, çdo i ri me ide do të ketë mundësi që të tregojë për idetë e tij, dhe në qeverinë e ardhshme do të gjejë mbështetje financiare, logjistike që idetë e veta t’i jetësojë. Jo rastësisht ne për rininë tonë kemi vendos gjithë ata studentë me nota të mira që i përfundojnë shkollat e larta dhe fakultete dhe posedojnë diplomë menjëherë do t’ia fillojnë punës”, tha Pacolli.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, tha se ky koalicion paraqet guximin për të marrë vendime të rëndësishme paqësore.

Kusari-Lila: Ky është koalicion me njerëz të dinjitetshëm

Video:

“Të gjithë ata që në këtë periudhë mundohen të ndjellin frikë, mundohen të tregojnë forcë, nuk ka budallallëqe më të madhe se sa të thirren në forcën e muskujve, në forcën e asaj që Kosovës i solli dëm dhe lëndime në periudhën e pasluftës. Është ky koalicion që përmban mençurinë e njerëzve me dinjitetshme dhe integritet që e dinë kur është koha për të bërë reforma”, tha Kusari-Lila.

Po ashtu përkrahje nga qytetarët e pranishëm për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit ka kërkuar edhe kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi.