I çmendur nga xhelozia, 37-vjeçari shqiptar rreh të dashurën në mes të rrugës

Një 37-vjeçar shqiptar është arrestuar pasditen e djeshme në Ravena të Italisë nën akuzën e dhunës në familje, pasi ka rrahur në publik të dashurën e tij.

Siç raportojnë mediat lokale, rreth orës 19 në rrugën “Manlio”, një patrullë policie ka pikasur një burrë dhe një grua që ishin duke u zënë, shkruan Syri.net. Efektivët kanë ndërhyrë duke ndarë çiftin.

37-vjeçari, në kulmin e shpërthimit të radhës për shkak të xhelozisë, e kishte rrahur partneren, ndërsa ajo është përpjekur të kundërpërgjigjet.

Pas mbërritjes së karabinierëve në vendngjarje, shqiptari u tha tyre se ishte thjesht një zënkë në çift, por ai është vënë në pranga.

Policia ka konstatuar më pas se 37-vjeçari ka shfaqur edhe më parë sjellje të dhunshme, madje së fundmi, e njëjta e cila u dhunua në rrugë, kishte lajmëruar policinë pasi shqiptari e kishte dhunuar edhe në banesën ku ata jetonin.

Mëngjesin e sotëm, gjykata i ktheu lirinë shqiptarit, por urdhëroi që të mos i afrohej të dëmtuarës. Gjithashtu, vendosi dhe dëbimin e tij nga shtëpia ku çifti jetonte.