I dashuri im homoseksual!

Para 5 vjetësh i kisha 20 vjet. Aso kohe isha studente e mjekësisë. Gjatë verës me një shoqe timen shkuam në Ksamil për pushim dhe atje takova një shok të babait tim me gruan dhe djalin e tij. Shkova me shoqen time në pushim, meqë deri në atë kohë kurrë nuk kam pasur të dashur.
Por, atje, në Ksamil, ndryshoi gjithçka, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, Tuna, nga Gjakova.

Derisa i bëra 20 vjet kurrë nuk kam pasur të dashur. Kisha lexuar shumë romane, pastaj e dija edhe historinë e prindërve të mi që më thoshin se asnjë nga ata që i takoja nuk ishin të duhur për mua, asnjëri nuk ishte princi i kaltër.

Pas pesë ditë që u vendosëm në Ksamil, një ditë në plazh takova një shok të babait tim me grua dhe djalin e tyre. Djali i tyre ishte 4 vjet më i madh se unë.

Në mbrëmje ai kishte dal të ecte rreth plazhit ashtu siç bënim edhe unë e shoqja ime. E përshëndeta dhe u ndala me të. Fillimisht u skuq… Nuk dija pse… Dikur, ime shoqe gjeti një arsye dhe tha se do ikte në banesë, sepse kishte dhembje koke. E dija se s’kishte asgjë të vërtetë aty, por dëshironte të na linte vetëm…

Teksa ecnim rreth detit, kinse pa dashje ia preka dorën. Ai u skuq edhe më shumë. Vetes i thashë: Qenka i turpshëm, ore! Mjerë ajo vajzë që do ta marrë për burrë!

Pastaj, po të njëjtat fjalë i thashë edhe me zë. Ai vetëm më shikoi dhe u skuq edhe më shumë në fytyrë. Kjo më dha të kuptoj se ai ishte i virgjër ashtu si isha e virgjër edhe unë. Por, me mua ndodhte diç tjetër: kisha lexuar shumë romane dashurie dhe kisha parë edhe shumë seriale dhe e dija fort mirë se si duhej afruar mashkullit që të pëlqen.

Të nesërmen i tregova të ëmës së tij se djali i saj më pëlqente. Isha e hapur me të… Ajo më tha troç: Nuk dimë të ketë pasur femër deri tash, andaj edhe turpërohet…

Në çast më shkoi mendja nëse ishte homoseksual. Dhe, pa ndonjë hezitim këtë gjë ia thash një ditë më vonë edhe nënës së tij. Në çast, nënës së tij një ngjyrë i ikte e një i vinte në fytyrë…

Pas dy ditësh në mbrëmje buzë detit përsëri ishim vetëm ne të dy. Edhe pse e rroka për dore ai as që ma shtrëngonte dorën. Përsëri u detyrova t’i them: Mjerë ajo që do të marrë për burrë!

Pas këtyre fjalëve në një moment sytë e tij të bukur u errën dhe më tha: Më fal, unë nuk i dua femrat…

Dhe, u mundua t’më puthte… Ishte një puthje në faqe, si t’më kishte motër…

Ditën e fundit të qëndrimit në Ksamil shkova të përshëndetesha me të. Për disa sekonda sytë tanë u ndeshën dhe për aq pak kohë unë dija se ajo e mjera që do ta merrte burrë isha unë, sepse isha dashuruar marrëzisht në të…

Këtu mbaroi e gjitha, as puthje, as numër telefoni, madje as adresë në “Facebook”…

Por, pas dy muajsh e takova në rrugë jo larg shtëpisë sime… Më tha se ka tërë ditën që më priste…

Verën tjetër u martuam. Por, nuk ishte i zoti si burrë… /Tuna /Kosovarja/