Ibrahim Rugova, një ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar

“Për Ibrahim Rugovën kanë folur e shkruar shqiptarë e të huaj. Mua më pëlqen, sot, të veçoj, vlerësimet e Át Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë”, ka shkruar shkrimtari shqiptar Ndue Ukaj, duke ndarë dy vlerësime për figurën e Rugovës, poashtu nga dy figura të mëdha shqiptare, atë të At Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë. At Zef Pllumi mes të tjerash, figurën e Ibrahim Rugovës e ka qujatur si një ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar, ndoshta më i rralli ndër shekujt e fundit, kurse shkrimtari i famshëm Ismail Kadare për Ibrahim Rugovën ka thënë se Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare, shkruan KultPlus.

Shkrimtari shqiptar Ndue Ukaj, në 72 vjetorin e lindjes së ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sikurse e ka qujatur ai, Ati i Pavarësisë së Kosovës ka specifikuar se për figurën e tij kanë folur e shkruar shqiptarë e të huaj. Mirëpo, Ukaj ka ndarë dy vlerësime për figurën e Rugovës, poashtu nga dy figura të mëdha shqiptare, atë të At Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë. “Për të kanë folur e shkruar shqiptarë e të huaj. Mua më pëlqen, sot, të veçoj, vlerësimet e Át Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë”, ka shkruar Ukaj.

Më poshtë po ju sjellim vlerësimet e At Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë, mbi figurën e Ibrahim Rugovës.


Át Zef Pllumi

“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet.”


Ismail Kadare

“Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. President të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ta që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu. E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota dika ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit…
Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.” Ibrahim Rugova ka lindur më 2 dhjetor, në vitin 1944, kurse ka vdekur më 21 janar të vitit 2006./KultPlus.com