Incident në Gostivar, tre nxënës theren me thika (VIDEO)

“Një sherr mes nxënësve në Gostivar ka përfunduar me tre persona të lënduar si pasojë e therjes me thikë. Dy prej tyre janë sjell në Qendrën e Urgjencës Kirurgjikale në Shkup. Njëri nga të lënduarit është në gjendje stabile, ndërsa tjetri do të mbahet për kurim për shkak të frymëmarrjen në plagë dhe gjakderdhjes”.

Bëhet fjalë për personat S.A 17 vjeç dhe A.A 16, nxënës në shkollën e mesme ekonomike të Gostivarit. Njëri ka plagën në kurriz ndërsa tjetri në anën e majtë të kurrizit poshtë supeve. Akoma nuk ka burime zyrtare që konfirmojnë se çfarë i parapriu zënkës, por sipas dëshmitarëve zënka ka ndodhur afër picerisë “Bini”, për shkak të mosmarrëveshjes për një femër. Mësohet që sherrin ta kenë nisur disa persona që nuk kanë qenë nxënës të shkollës së mesme ekonomike. Dëshmitarët okularë, për Alsat M shpjegojnë rastin duke shtuar se nuk ndjehen të sigurt në shkollën ku studiojnë.

“Ishin shumë persona. Kishte edhe njerëz më të mëdhenj që nuk janë nxënës. Nuk është kjo hera e parë që ndodhin këto gjëra. Kishte edhe të lënduar”.

“Pasi ndodhin këto raste nuk ndjehemi të sigurt. Për femër bëhej fjalë nuk e di si ishte rasti por një burrë filloi reagimin. E goditi me shuplakë. Njëri ka mundur edhe të vdes ngaqë ka humbur shumë gjak”.

Në Qendrën e Urgjencës takuam edhe prindërit e të lënduarve, megjithatë asnjëri prej tyre nuk deshi të prononcohet. Alsat M mëson se sulmuesi që ka përdorur armë të ftohtë është nga fshati Çegran, nxënës i shkollës së mesme industriale në Gostivar. Burime policore njoftuan shkurt se po punohet për zbardhjen e rastit./alsat-m