Individi dhe personaliteti

Sikurse të gjitha funksionet psikike, edhe personaliteti e ka bazën e vetë biologjike, sepse çdo njeri lind me karakteristika trashëguese të caktuara. Edhe pse faktorët biologjikë kanë rëndësi të posaçme për zhvillimin e personalitetit, janë vetëm bazë e nevojshme për zhvillimin e mëtejmë të tij. Rol vendimtar luajnë faktorët e rrethit, e para se gjithash, faktorët socialë

Psicologicalstudies review

Individi, duke kaluar nëpër këto procese psikike, gjatë periudhave të ndryshme të jetës, formon veti të caktuara personale. Duke i vërejtur këto veti gjatë aktivitetit të individit, ne vërejmë mënyrën e veçantë të sjelljeve, që është karakteristike për të. Këto veti karakteristike, mënyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve të njerëzve dhe të çdo individi, si manifestohen, si zhvillohen dhe nga cilët faktor varën ato, i studion Psikologjia e personalitetit. Të gjitha proceset psikike, siç janë: të perceptuarit, të menduarit, të ndjenjave, të mësuarit, të motivacionit etj. janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, pra varën njëra nga tjetra dhe ndikojnë në njëra-tjetrën.  Sikurse të gjitha funksionet psikike, edhe personaliteti e ka bazën e vetë biologjike, sepse çdo njeri lind me karakteristika trashëguese të caktuara. Edhe pse faktorët biologjik kanë rëndësi të posaçme për zhvillimin e personalitetit, janë vetëm bazë e nevojshme për zhvillimin e mëtejmë të tij. Rol vendimtar luajnë faktorët e rrethit, e para se gjithash, faktorët social. Prandaj edhe theksohet se personaliteti është dukuri, jo vetëm psikologjike, por edhe sociale. Kushtet sociale, e para së gjithash aktivitetet me njerëz, janë të domosdoshme për t’u zhvilluar individualiteti njerëzor në qenie humane, pra në qenie e cila ka karakteristika, që i përfillim si karakteristika njerëzore.

Numri i faktorëve, si ndikim në bazën e dhënë biologjike për formimin e cilësive të personalitetit, është mjaft i madh si: ambienti dhe kushtet familjare (në të cilat rritet fëmija), shkolla,  moshatarët, mësuesi, të njohurit, organizatat dhe shoqëria në të cilat ai është anëtar, dhe roli që ka në to, literatura dhe filmat, bashkëshortësia dhe marrëdhëniet bashkëshortore, profesioni dhe suksesi në këtë profesion, pozita sociale, kultura në të cilën rritet dhe jeton, sistemi shoqëror i bashkësisë etj. etj.

Zhvillimi i personalitetit ndahet në katër perioda: mosha e fëmijërisë, e rinisë, e pjekurisë dhe e pleqërisë.

Shumë ekspertë të psikologjisë mendojnë, se rol vendimtar për formimin e cilësive të personalitetit luajnë kushtet e jetës familjare në ditët e para të fëmijërisë. Studimet kanë treguar, se kushti më i  mirë për zhvillimin e personalitetit të pjekur dhe të shëndosh, është qëndrimi i përzemërt dhe i ngrohtë i prindërve, por edhe njëfarë rigoroziteti në evitimin e pasojave të pakënaqshme të reaksioneve te fëmijët.

Moment tjetër i rëndësishëm për zhvillimin  e cilësive të personalitetit është edhe fillimi i parë shkollor, që përbën një ndër bazat shumë të rëndësishme në zhvillimin e personalitetit dhe karakterit të mëvonshëm të individit. Ardhja e fëmijës në shkollë, është ardhje në një rreth të ri, me kërkesa të reja, dhe me më shumë obligime, në të cilat ai duhet të gjendet, pasi ato ndryshojnë dukshëm prej kërkesave familjare me të cilat ai është mishëruar. Gjithashtu, rol me rëndësi në këtë periodë luan edukatori, mësuesi ose pedagogu. Mësuesi, si edhe prindërit paraqesin modelin, në të cilin fëmija merr shembull. Me sjelljet, veprimet, gjestet, qëndrimet etj. ata i japin kahjen e mëtejme fëmijës, drejt formimit të cilësive të personalitetit.

Perioda tjetër, shumë e rëndësishme është mosha e rinisë, e cila karakterizohet me dy momente: Zhvillimin fiziologjik dhe zhvillimin social.

Në zhvillimin fiziologjik bie në sy rritja e gjatësisë së trupit dhe shtimi në peshë; paraqitja e karakteristikave seksuale dhe disa kriza psikologjike në lidhje me këtë moshë etj. Ndërsa në zhvillimin social, paraqiten interesime dhe qëndrime të reja mbi jetën; zhvillohet ndjenja e vetëdijes dhe nevoja e pavarësimit, si dhe formohen pikëpamje mbi çështjet e rëndësishme shoqërore etj.

Për kapërcimin e kësaj periode, e cila është e mbushur me trauma e probleme të ndryshme psikike e fizike, dhe për marrjen e kahjes vendimtare drejt cilësive të qëndrueshme të personalitetit (qoftë pozitive, apo negative), ndikim parësor luajnë:  faktorët e fëmijërisë së hershme, qëndrimet e prindërve dhe edukatorëve, pikëpamjet dhe normat shoqërore si dhe shumë faktorë të tjerë socialë.

Nga zhvillimi i faktorëve të sipërpërmendur varet edhe perioda tjetër vijuese – mosha e pjekurisë. Kjo periodë zgjat deri në moshën 50-vjeçare, dhe përbën periodën më të gjatë në jetën e individit. Në këtë periodë bëhet edhe zgjedhja dhe zgjidhja e problemeve më rëndësishme për jetën e njeriut, si: zgjedhja e profesionit, formimi i koncepteve mbi jetën, martesa dhe krijimi i familjes, që ngrit ndjenjën e përgjegjësisë dhe i jep jetës kuptim më serioz në vazhdimësinë e formimit të mëtejmë të cilësive të qëndrueshme të personalitetit. Në këtë periodë, individi krijon koncepte të qëndrueshme për dukuritë e përgjithshme, pavarësisht të çfarë drejtimi janë ato, prioritare apo herezike, të përputhshme me logjikën e shoqërisë apo jo etj., dhe e ka shumë të vështirë që t’i ndryshojë ato koncepte.

Perioda e fundit është mosha e pleqërisë, e cila fillon nga vitet ‘50, dhe karakterizohet me personalitet të qëndrueshëm, në kuptim të plotë. Studimet e fundit kanë treguar se në moshën  e pleqërisë, aktivitetet psikike zvogëlohen shumë pak (ose aspak), në krahasim me ato fizike. Kjo dukuri ndikon në psikologjinë e të moshuarve. Pasi ata nuk janë në gjendje të kryejnë aktivitete fizike, deri sa ato psikike i kanë aktive, fillojnë të tërhiqen në vetvete, largohen prej ambientit dhe e ndiejnë vetën, herë-herë si të tepërt në shoqëri. Pra, këtë moshë e karakterizon personaliteti i mbyllur (mbyllja në kornizat vetjake).  Prandaj është shumë i nevojshëm angazhimi i shoqërisë dhe qëndrimi konstruktiv ndaj personave në këtë moshë.

Nga kjo analizë që e bëmë më lartë, mund të konkludojmë se zhvillimi i cilësive të qëndrueshme të personalitetit varet nga shumë faktorë. Këto cilësi karakterizojnë, personalitetin ose karakterin e individit, ndërsa bashkimi i individëve indigjen, formon shoqërinë (kolektivitetin) e që ne e quajmë  KOMB. Kjo do të thotë, se pasqyrimi i karakterit individual është edhe pasqyrim i karakterit kolektiv, pra pasqyron sjelljet, zakonet, vlerat kulturoro-artistike, inteligjencën etj., të një kombi. Prandaj edhe lind pyetja: sa i njohim dhe sa merremi ne shqiptarët me këta faktorë për kultivimin e një shoqërie me personalitete të shëndosha?

Gjurmimet e shumta rezultojnë, se edhe roli i historisë, kushtet e veçanta të zhvillimit, tradita, zakonet e doket e një shoqërie, paraqesin faktorë të rëndësishëm në formimin e personalitetit. E dihet shumë  mirë rrjedha e historisë së popullit tonë. Prandaj edhe mund ta justifikojmë të kaluarën, duke mos hyrë në detaje për faktorët sfidues drejt zhvillimit intelektual, sepse na duhet një hapësirë shumë e madhe për analizimin e asaj periudhe…Por a mund ta justifikojmë të tanishëm? Sot kur mburremi me të arriturat tona në art, kulturë, shkencë; sot që kemi sa e sa universitete, shoqërore e private, kolegje të vendit e të huaja duke filluar nga shteti amë, nga Shqipëria e deri edhe në diasporë; sot që kemi aq shumë doktor shkencash, magjistra e akademik; sot që botojmë aq shumë libra, gazeta e revista; sot që kemi qeveri demokratike; sot që kemi të realizuar edhe ëndrrën shekullore, pavarësinë e Kosovës; sot që më së shumti merremi me vetveten…E më së paku u japim rëndësi çështjeve edukative, etike e psikologjike të brezit të ri, brez që do jetë pasqyrim i ardhmërisë së kombit.

Ja një analizë e shkurtër në këtë drejtim pas viteve ‘80. Me suprimimin e organeve më vitale të saj nga Beogradi, Kosova kaloi nën okupim klasik. Në planin diskriminues të pushtuesit, pikëqëndrimi kryesor (jo pa qëllim) ishte arsimi, mbyllja e shkollave. Shkolla si institucion edukativ si qëllim kryesor ka: zhvillimin e cilësive pozitive, cilësi që i konsideron si të nevojshme dhe të domosdoshme, si për individin ashtu edhe për shoqërinë; të formojë botëkuptimet e caktuara shoqërore dhe qëndrimet e caktuara sociale etj. me një fjalë, zhvillimin intelektual të individit; të pengojë zhvillimin e cilësive negative, që dëmtojnë vetë individin dhe që shkojnë në kundërshtim me etikën e moralin e shoqërisë. Prandaj, me mbylljen e shkollave, pikërisht u atakua ky zhvillim. Rinisë ju mbyll perspektiva, ju mbyll ardhmëria.

Të ballafaquar me kriza të ndryshme rinore, duke mos parë perspektivë në horizont dhe me qëllim të shmangies së shërbimit ushtarak nëpër kazermat e okupatorit, një pjesë shumë e madhe e kësaj shtrese braktisën vendlindjen dhe shtegtuan drejt Perëndimit, me shpresë për ditë më të mira.

E siç dihet, kjo është një ndër periodat më vendimtare në formimin e cilësive të qëndrueshme të personalitetit, nga e cila edhe varet ardhmëria e individit. Pa mbështetje institucionale, në pragun e thyerjeve të mëdha shpirtërore, në mesin e një shoqërie me sjellje, zakone e botëkuptime të tjera, pa koncept të qartë mbi ardhmërinë e jetës, kjo rini assesi nuk mund të krijojë veti të drejta e të qëndrueshme të personalitetit, përkundrazi, kjo do goditet rëndë nga çrregullimet e ndryshme të personalitetit, do të pësojë enervacion, që do e përcjellë pas gjatë gjithë jetës. E aq më tragjik bëhet fakti, se kjo rini, këta individë, më vonë, do të bëhen prindër, vetitë psikike të të cilëve do të përcillen në njërën apo tjetrën formë, me dije apo pa dije, me dashje apo dashje… edhe te fëmijët e tyre, e që në instancën e fundit do të mund të ketë ndikim negativ  në formimin e personalitetit të trashëguesve, sepse prindi për fëmijën paraqet modelin, me të cilin fëmija identifikohet dhe të cilin e imiton.