Infermieria kanadeze që vrau tetë persona

Një 49-vjeçare nga Kanadaja, infermiere në një shtëpi pleqsh akuzohet për tetë vrasje me paramendim, që shtrihen në një periudhë disa vjeçare.

Elizabeth Tracey Mae Wettlaufer u arrestua të hënën dhe u paraqit të martën në gjykatën e Woodstock në Ontario.

Tetë viktimat ishin banorë në dy objektet e kujdesit afatgjatë, ku zonjë Wettlaufer ka punuar. Ata ishin të moshës 75 deri në 96 vjeç.

Policia tha se shtatë prej viktimave u është dhënë një dozë vdekjeprurëse droge, shkruan BBC.

Viktimat ishin pesë gra dhe tre burra dhe ishin të gjithë banorët e qendrës së kujdesit në Woodstock dhe Meadow Park në Ontario.

Shefi i policisë në Woodstock  ka refuzuar të komentojë mbi një motiv të mundshëm, por ka shtuar se hetuesit janë të bindur se ata kanë identifikuar të gjitha viktimat.

Zëdhënësi i shtëpisë së kujdesit, Lee Griffin tha se e akuzuara kishte qenë infermiere dhe se ishte larguar nga puna rreth dy vjet e gjysmë më parë.

Vdekjet e personave kanë ndodhur gjatë periudhës 2007-2014.