Inspektorët e UEFA hedhin dyshime për cilësinë e fushës në “Loro Boriçi”

Shqipëria do të luajë dy ndeshje eliminatore për Botërorin “rusi-2018” në muajin tetor, ndaj Lihtenshtejnit e Spanjës, me objektiv të qartë për të marrë maksimumin në të dy përballjet. Natyrisht, ndaj Lihtenshtejnit pritet një ndeshje relativisht më e lehtë, por ndaj Spanjës na pret një superpërballje dhe një duel mjaft i vështirë, pasi kemi kundër njërën prej skuadrave më të mira të botës. Ndeshja me Lihtenshtejnin do të luhet në transfertë, në Vaduz, kurse dueli me spanjollët do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Pikërisht ky stadium duket se ka marrë së fundmi vëmendjen e inspektorëve të UEFA-s, të cilët kanë bërë një vizitë “blic” në impiantin e rikonstruktuar nga qeveria shqiptare gjatë vitit të fundit dhe që ka marrë një investim mbi 10 mln euro. Ndërprerja e ndeshjes me Maqedoninë për shkak të reshjeve të shiut dhe përmbytjeve të fushës, si dhe futja nga era e objekteve brenda në fushë, nxitën UEFA-n ta shohë me përparësi impiantin, të cilin më herët e kishin “miratuar” me unanimitet, duke e quajtur modern dhe krejtësisht të rregullt për ndeshjet ndërkombëtare. FSHF ka qenë hermetike në dhënien e informacioneve rreth impiantit dhe vizitës që ka bërë UEFA, por mësohet se shkaku i ardhjes së tyre dhe inspektimit në terren të kushteve nuk lidhet vetëm me ndeshjen që do të zhvillojë Shqipëria ndaj Spanjës më 9 tetor. Tre ditë më parë nga kjo ndeshje, në “Loro Boriçi” do të luhet një tjetër ndeshje e nivelit të lartë. Pikërisht më 6 tetor në stadiumin e Shkodrës do të luhet ndeshja ndërkombëtare Kosovë-Kroaci, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit. Kjo ndeshje parashikohet nga UEFA të jetë me rrezikshmëri të lartë, për shkak se një pjesë e vendeve nuk e njohin ende Kosovën dhe struktura të interesuara mund të tentojnë të prishin zhvillimin normal të këtij takimi. Prandaj UEFA ka kërkuar që të ketë kontroll të rreptë të tifozëve, marrje masash për të qenë gjithçka në rregull me fushën dhe tribunat, si dhe e elementë të tjerë të një ndeshje normale.

Frika ekziston për shpalosje banderolash që kanë përmbajtje politike, por inspektorët e UEFA-s janë marrë kryesisht me kushtet e terrenit, pasi dyshojnë se fusha e “Loro Boriçit” nuk ka cilësinë e duhur për të përballuar ndeshjet në një kohë të shkurtër treditore. FSHF ka marrë masë që Vllaznia të mos e luajë ndeshjen e radhës në stadiumin e saj, por pikërisht në fushën e kundërshtarit të saj, Skënderbeut të Korçës, me një marrëveshje të tillë që fazën tjetër skuadrat të ndryshojnë stadium. Pikërisht cilësia e dobët e fushës është bërë shkak që inspektorët e UEFA-s të lënë shënim punët që duhet të kryhen, si dhe hartimin e një plani masash nga FSHF-ja dhe federata homologe e Kosovës që të bashkërendojnë punët për mbarëvajtjen e ndeshjes me Kroacinë. Dyshimi është i arsyeshëm, pasi, nëse fusha dëmtohet në ndeshjen Kosovë-Kroaci, ajo mund të shfaqë probleme për ndeshjen pasardhëse, atë Shqipëri-Spanjë. Shqetësimi i dytë lidhet me lojtarët spanjollë, të cilët luajnë në klube shumë të rëndësishëm dhe një fushë e dëmtuar mund të rrisë rrezikun e dëmtimit të lojtarëve, gjë që prish planet e klubeve në fjalë. Prandaj UEFA po i paraprin çdo ngjarjeje të mundshme, duke kërkuar që pala jonë të mbajë fushën në nivelin europian. Edhe pse nuk është thënë dhe në dukje të parë nuk dallohet, inspektorët e UEFA-s janë treguar skeptikë dhe kanë paraqitur dyshime të arsyeshme, përderisa edhe vetë FSHF ka nisur të mendojë seriozisht dhe me përkushtim për dy sfidat e radhës që luhen në “Loro Boriçi”. Ndeshja Shqipëri-Spanjë tërheq vëmendje ndërkombëtare dhe tanët e duan këtë takim edhe si imazh në sytë e botës.