Institucionet kulturore ndryshojne statuset por jo drejtoret

Ministria e Kulturës prej kohësh nuk ka shpallur konkurs për plotësimin e këtyre vendeve, duke e vënë në pikëpyetje marrëveshjen politike mes dy partnerëve në bashkëqeverisje. Arsyet e zvarritjes së kësaj çështje nuk jepen as në Ministrinë e Kulturës dhe as në Qeveri. Galeria Nacionale është institucioni i vetëm ku u zbatua marrëveshja, ndërsa Muzeu i Shkencave të Natyrës, Teatri i Fëmijëve dhe të Rinjve, apo edhe Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës do të vazhdojnë të kenë në krye drejtorë të njëjtë, mandati i të cilëve do të vazhdojë të zgjatet edhe për disa vite të tjera, shkruan gazeta Koha.

Pavarësisht se statusi i tre institucioneve që sipas marrëveshjes politike duhej të drejtohen nga kuadro shqiptarë ka ndryshuar, Muzeu i Shkencave të Natyrës, Teatri i Fëmijëve dhe të Rinjve (TFR), apo edhe Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës (SHPNT) do të vazhdojnë të kenë në krye drejtorë të njëjtë, mandati i të cilëve do të vazhdojë të zgjatet edhe për disa vite të tjera.

Me përjashtim të Galerisë Nacionale, që është institucioni i vetëm ku u zbatua marrëveshja dhe drejtohet nga Dita Starova – Qerimi. Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës prej kohësh nuk ka shpallur konkurs për plotësimin e këtyre vendeve, duke e vënë në pikëpyetje marrëveshjen politike mes dy partnerëve në bashkëqeverisje. Nëse për momentin ky institucion nuk mund të shpallë konkurse për shkak të zgjedhjeve të pritshme elektorale të muajit dhjetor, konkursi i fundit ishte disa muaj më parë dhe u anulua për shkak të kandidaturave të papërshtatshme për atë pozicion.

Për momentin Teatri i Fëmijëve dhe të Rinjve drejtohet nga Bratisllav Dimitrov, mandati i të cilit u zgjat vitin e kaluar, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës që prej gati dhjetë vitesh drejtohet nga Renata Kutera Zdravkovska, mandati i së cilës po ashtu u shty, ndërsa e njëjta situatë është edhe në Muzeu i Shkencave të Natyrës, ku drejtor vazhdon të jetë Ivica Zarkadov.

Konkursi më i fundit i Ministrisë së Kulturës u bë për të përzgjedhur drejtorë në këtë institucion, por që dështoi për shkak se kandidatët nuk plotësuan kushtet. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, thotë se duhet të pritet që konkurset të shpallen pas zgjedhjeve, por nuk jep ndonjë sqarim se kjo çështje po zvarritet prej disa vitesh. Sipas tij, me ndryshimin e statuseve të institucioneve, i fundit ishte Muzeu i Shkencave të Natyrës, mundësitë për përzgjedhjen e një kandidati shqiptar janë më të mëdha.

“Deri tani ka qenë vështirë për të gjetur kandidatë të përshtatshëm, por me ndryshimin e statusit kriteret e reja nuk janë dhe aq rigoroze”, thotë Shehapi. Por, përveç vështirësive për të zgjedhur një drejtor, këto institucione kanë mangësi të mëdha sa i takon edhe stafit të të punësuarve, ku të punësuarit shqiptarë nuk janë më shumë se një, ose asnjë. Janë gjithsej katër institucione, të cilat sipas marrëveshjes mes dy partive OBRM-PDUKM dhe BDI, i takonin këtyre të fundit për të zgjedhur drejtues shqiptarë. Përveç TFR, GNM, MSHN, vitin e kaluar dy parterët e koalicionit ranë dakord që edhe Shtëpia-muze e Nënë Terezës të drejtohet nga një drejtor shqiptar, emërim ky që duhej bërë në fund të vitit të kaluar. Jozyrtarisht mësohet se kjo çështje që më shumë sesa institucionale është kthyer në politike, ka “ngecur” në Qeveri, por të kontaktuar nga Koha nuk japin asnjë lloj informacioni lidhur me zgjedhjet e drejtorëve në tre institucionet e kulturës