Inva Mula dhe Genc Tukiçi me koncert në Vjenë, do të prezantohen edhe perlat e muzikës shqiptare


Në shenjë të 60 vjetorit të shënimit të marrëdhënieve diplomatike në mes Austrisë dhe Shqipërisë, në fund të nëntorit do të prezantohet një koncert në sallën e famshme të Vjenës “Muth-Saal”, ku do të prezantohen vepra të kompozitorëve të njohur, por edhe perla të muzikës shqiptare, duke përfshirë ato të jugut, veriut dhe jaret shkodrane.

Pianisti Genc Tukiçi ka thënë për KultPlus se ndjehet të jetë i lumtur për këtë koncert. “Për shkak se ky koncert po shënon edhe 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike në mes Austrisë dhe Shqipërisë, edhe muzika do të përshtatet me këtë shënim, duke përfshirë edhe vepra të huaja por edhe shqiptare”, ka thënë Tukiçi.

Mirëpo, duke pas parasysh se edhe Inva Mula por edhe Genc Tukiçi jetojnë në Paris, ky i fundit ka shpjeguar se pikërisht për këtë fakt, ata kanë menduar që në këtë mbrëmje të sjellin edhe sharmin francez, duke sjellë veprën e Ernest Chausson. Përpos Chausson në këtë mbrëmje do të prezantohen edhe vepra të Listz, Brahms, Dvorak, duke përfshirë më pas edhe muzikën shqiptare. “Kurse pjesën solo që do ta luaj është interpretimi i Marshit Turk të Moxart, duke ndërlidhur më pas edhe himnin shqiptar dhe atë austriak. Nuk ka rast më të mirë se sa në Vjenë, që të bëhet kjo ndërlidhje e muzikës”, ka thënë për fund Tukiçi. Në këtë koncert ku do të interpretojë edhe kuarteti i Filarmonisë së Vjenës, ku do të jetë edhe Edison Pashko, i cili do të luaj në violonçelo/KultPlus.com