Inva Mula, drejtuesja e re e Festivalit “Marie Kraja”

Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, që do të mbahet në nëntor këtë vit nuk do të ketë më drejtuese Zana Çelën, që e themeloi këtë festival. Tashmë festivalin do ta drejtojë sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula. Vetë Inva Mula ka njoftuar për këtë edicion, e cila ka bërë të ditur, se artistikisht do të drejtohet nga ajo. Ish drejtuesja e këtij festivali, Zana Çela, aktualisht drejtoreshë e Teatrit të Operës dhe Baletit e konfirmon këtë lajm nëpërmjet një postimi në Facebook. “Po postoj mesazhin që artistja jonë e madhe Inva Mula ka ndarë sot me miqtë e saj në lidhje me angazhimin në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, shkruan Zana Çela tashmë drejtoresha e Teatrit të Operës dhe Baletit. Ndërsa sopranoja Inva Mula thotë se kur një festival bëhet identifikues i traditës artistike të një vendi të gjithë ne duhet te japim kontributin tonë.

Sopranoja Inva Mula saktëson se Festivali Ndërkombëtar “Marie Kraja” do të mbahet për dy mbrëmje, përkatësisht më 4 dhe 5 nëntor. “Kur një festival bëhet identifikues i traditës artistike të një vendi-të gjithë ne duhet të japim kontributin tonë për ta rritur atë përgjatë viteve. Kam kënaqësinë t’iu informoj se edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” këtë vit do drejtohet artistikisht nga unë. Ju ftojmë të dashur miq të ndiqni dy mbrëmje të mrekullueshme të Festivalit Ndërkombëtar Operistik të Shqipërisë, në datat 4, 5 nëntor ora 19.00 në TKOB”, shkruan në statusin e saj sopranoja Inva Mula. Në këtë festival deri më sot janë vlerësuar me trofetë “Marie Kraja” disa artistë ndërkombëtar. Festivali Ndërkombëtar Operistik, “Marie Kraja” e vendos çdo vit Tiranën, për disa ditë në zemrën e muzikës evropiane duke e përfshirë në hartën e qyteteve ndërkombëtare të artit. Një vit më parë ishin përzgjedhur 14 këngëtarë nga 4 kontinente, midis 172 këngëtarëve që aplikuan dhe u dëgjuan nga juritë në Milano, Vjenë, Bruksel dhe Tiranë. Në edicionin e vitit që kaloi më 30 tetor interpretuan 14 këngëtarë. Secili nga ta në repertor kishte një arie dhe një këngë. Kjo natë ishte një natë me muzikën më të bukur të operave dhe këngëve klasike spanjolle, franceze, napoletane, amerikane dhe sigurisht shqiptare. Në natën finale më 31 tetor interpretuan vetëm 8 këngëtarë, të cilët vazhduan konkurrimin për katër çmimet e edicionit të 15-të të festivalit.