Isa Mustafa, akuza deputetëve për kufirin

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pyetur deputetët që kanë kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi, se me çfarë të drejte i mbajnë të izoluar qytetarët e Kosovës dhe me çfarë të drejte ua rrezikojnë jetën qytetarëve të cilët kërkojnë shërim jashtë vendit. Ai në Kuvendin zgjedhor të Forumit të Rinisë së LDK-së, ka thënë se janë plotësuar kushtet për të lëvizur pa viza, prandaj askush nuk ka të drejt të mbaj peng procesin e liberalizimit të vizave dhe të pengojë shndërrimin e kufijve në kufij të njohur ndërkombëtarësh. Sipas, tij, asnjë kauzë politike nuk e justifikon mbajtjen peng të qytetarëve të Kosovës.

“Unë i pyes disa deputet kundërshtues nga ky vend se me çfarë të drejte iu mbajnë juve të izoluar, me çfarë të drejte iu detyrojnë të prisni edhe me nga 6 muaj para dyerve të ambasadave të huaja për ta marrë një vizë, pse ju privojnë nga e drejta që të vizitoni prindërit dhe familjarët e juaj. I pyes së bashku me ju me çfarë të drejte ua rrezikojnë jetën qytetarëve tonë që të shërohen jashtë vendit për shkak se nuk gjejnë shërim në vendin tonë, me çfarë logjike ua privojnë lirinë juve që të shkolloheni jashtë dhe bizneset që të qarkullojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian ashtu siç qarkullojnë edhe bizneset tjera sipas marrëveshjes së stabilizim asocimit”, deklaroi Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Alsat-M