ISIS kryen mizori në Mosul

Në një kohë kur forcat irakiane janë duke zhvilluar një operacion madhor për çlirimin e qytetit të Mosulit nga Shteti Islamik, Agjencia e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së, ka raportuar se të gjendur në vështirësi, ekstremistët e ISIS po kryejnë masakra ndaj civilëve për t’i bërë presion ushtrisë së Irakut.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dhënë disa raste, ku dëshmitarët thonë se terroristët kanë sulmuar qytetarët duke i përdorur ata si pengje.

Në një prej rasteve, OKB bën me dije se tre gra dhe tre fëmijë ishin qëlluar për vdekje, pasi refuzuan që të largoheshin nga një fshat në një tjetër pasi ekstremistët i urdhëruan të vepronin në këtë mënyrë.

Ndërkohë, në një tjetër rajon të Mosulit, 15 persona u ekzekutuan dhe u hodhën në një lumë për të përhapur terror në radhët e banorëve të zonës.

Megjithatë, zyrtarët e organizatës nënvizoj se ngjarje të tilla mund të jenë mjaft të shumta, ndërkohë që bëjnë thirrje për kujdes maksimal në këtë operacion mjaft delikat.

Rreziku i prekjes së civilëve nga luftimet mes palëve ishte paralajmëruar edhe më herët, ndaj ekspertët gjykojnë se ekstremistët e Shtetit Islamik do të vijojnë të tregohen gjithnjë e më agresivë me qytetarët me avancimin e forcave qeveritare.

Popullsia e qytetit të Mosulit është afro 1.5 milionë banorë, ndërkohë që në këtë territor dyshohet se ka nga 3.000 deri në 5.000 militantë të ISIS.

Nga ana tjetër, është njoftuar se nga radhët e ushtrisë së Irakut, janë angazhuar në total 30.000 trupa, të cilat asistohen edhe nga koalicioni ndërkombëtar anti-ISIS që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara.

Operacioni i ndërmarrë së fundmi ka ecur me ritme mjaft të kënaqshme, por në bazë të deklaratave të bëra nga ekspertët, çlirimi i plotë i qytetit do të kërkojë disa javë.