Italianët në alarm: Shqipëria po na e bën si Zvicrës, po na merr talentet

UFederata Italiane e Futbollit është vënë në alarm serioz pas informacionit se Shqipëria ka nisur të hartojë një listë të lojtarëve shqiptarë që luajnë me skuadrat e moshave të klubeve kryesore italiane apo dhe me ekipet italiane të moshave, me synimin e qartë që t’i aktivizojë në ekipet e saj kombëtare. Kanë qenë një sërë figurash të futbollit italian që e kanë ngritur këtë shqetësim menjëherë pas mbylljes së ndeshjes midis Italisë U-17 dhe Shqipërisë U-17, takim që përfundoi me fitoren e 17-vjeçarëve italianë 1-0. Menjëherë pas takimit, mediat italiane nxituan të vinin në pah faktin se në radhët e Shqipërisë luajtën plot 7 futbollistë që janë prodhim italian dhe që nuk kanë preferuar të kenë ftesë nga grupmoshat italiane, por kanë zgjedhur vendin e origjinës së prindërve të tyre, duke dalë në një konkluzion që më vonë mund të jetë shqetësues për vetë ambiciet e kombëtares italiane. “Lojtarë që i kemi rritur ne, kemi investuar për ta dhe që mund të luajnë për Italinë, sot po zgjedhin me shumicë të luajnë për Shqipërinë dhe ky është një fakt i pamohueshëm por edhe shqetësues për federatën tonë”. Ky është qëndrimi i specialistëve italianë, që e lëshojnë alarmin e tyre për federatën italiane, në mënyrë që të kujdeset për këtë problem dhe të shqetësohet për lëvizjet e lojtarëve, pasi, sipas tyre, Shqipëria po ndjek të njëjtën politikë sikurse bëri me Zvicrën, të cilës ia mori shumë talente nga ekipet kombëtare të moshave dhe që tani luajnë për përfaqësuesen e Shqipërisë. Xhanfranko Seroli, shefi i delegacionit të FIGC, ka deklaruar dje në “Rai-sport” se nuk e di se për kë po punojnë, për Italinë apo për Shqipërinë, pasi në fushën e blertë me kuqezinjtë u aktivizuan 7 lojtarë që janë pjesë e ekipeve italiane. “Duke parë ndeshje të tilla, pyes vetën nëse punojmë për vete apo për ata…”. Një deklaratë e tillë sigurisht që mund të hapë polemika, pasi “axurrët” duket se janë të shqetësuar për këto “rrjedhje”. Një tjetër frikë për ta është edhe fakti që në të ardhmen edhe lojtari si Alesandro Ahmetaj dhe Rilind Nikovazi, të cilën luajtën dje kundër Shqipërisë, mund të zgjedhin të luajnë për vendin e tyre të origjinës. Lojtarët e Shqipërisë U17 që luajnë në Itali: Sinani (Novara), Doda (Sampdoria), Kumbulla (Verona), Pjetri (Udineze), Kalaj (Roma), Lakti (Fiorentina), Kraja (Atalanta). Pikërisht për këta futbollistë kanë shkruar dje mediat italiane, që sipas tyre janë prodhim italian dhe duhej të aktivizoheshin me grupmoshat e Italisë. E vërteta është se lojtarët kategorizohen sipas cilësisë, ose më saktë bien në sy tek klubet që i kanë në pronësi, por debutimi me ekipet kombëtare nxjerr në pah një element tjetër, që është menaxhimi për të ardhmen. Rasti i marrjes nga Shqipëria të lojtarëve (me origjinë shqiptare) që ishin pjesë e Zvicrës, ka alarmuar së tepërmi Italinë, e cila po sheh rrezikun e një largimi masiv të talenteve shqiptare nga grupmoshat italiane drejt grupmoshave të përfaqësueses së Shqipërisë. “Është e papranueshme që FSHF të na marrë lojtarët tanë. Këtu nuk flitet për nacionalitete apo origjinë, por për lojtarë që kanë dalë nga klubet tona,q ë kanë marrë mbështetjen tonë, që kanë marrë vlerësimin e klubeve italiane dhe federatës italiane, për pasojë duhet të japin kontributin e tyre në klubet italiane dhe në ekipet kombëtare të moshave në Itali. Rasti i Shqipërisë, U-17 e së cilës kishte në përbërje 7 futbollistë që luanin në klubet italiane, është një shenjë e qartë se FSHF po merr gratis futbollistët cilësorë, diçka e papranueshme. Natyrisht, zgjedhja e lojtarëve është në dëshirën e tyre, por kjo gjë duhet parë në vazhdimësi, sepse e ardhmja mund të na surprizojë”, shkruajnë komentuesit dhe analistët e mediumeve italiane.