Ivanov: Së pari shumicën, pastaj mandatin

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, nuk e jep mandatin për formimin e qeverisë pa konfirmimin e shumicës në parlament. Ai ka ndërmarrë një nismë për t’u konsultuar me drejtuesit e partive politike dhe me institucione të tjera lidhur me formimin e qeverisë së vendit.

Ivanov ka pritur në takime të ndara kryetarët e Lidhjes Social Demokrate, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvizjes Besa, Lëvizjes për Reforma dhe të VMRO-DPMNE-së. Zyra e presidentit Ivanov ka bërë të ditur se edhe përfaqësues të Partisë Demokratike Shqiptare ishin ftuar për konsultime.

Presidenti maqedonas është shprehur “së pari shumica, pastaj mandati”.

Duke folur pas takimeve, presidenti Ivanov tha se kërkon nga ata të cilët do ta formojnë qeverinë që të mbrojnë interesat e shtetit dhe të kapërcejnë krizën përmes reformave të sistemit të sigurisë kombëtare.

Ndërkaq, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, u tha gazetarëve se “kishte shkuar për të marrë mandatin, por nuk i ishte dhënë meqenëse nuk ka siguruar shumicën në parlament”.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha pas takimit se të gjithë duhet të kontribuojnë për kapërcimin e krizës dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e vendit. Ai tha se të gjitha mundësitë mbeten të hapura për formimin e qeverisë. Zoti Ahmeti u shpreh se “çelësi për koalicionin qeveritar ishte tek partia e tij, por se tani atë ia ka dorëzuar presidentit Ivanov”. Ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të hynte në koalicion qeveritar me Lidhjen Social Demokrate.

Ky është takimi i parë i zotit Ali Ahmeti me presidentin Gjorgje Ivanov, qëkur ky i fundit mori mandatin e dytë si president. Në atë kohë BDI-ja shprehej se nuk e njihte legjitimitetin e presidentit Ivanov dhe kërkonte një president që do të zgjidhej me konsensus politik nga të gjitha palët.

Zoti Ahmeti, i pyetur nga gazetarët për këtë, tha se sot kishte vepruar me kokë dhe jo me zemër.

Pasi që mandatari për formimin e qeverisë Nikolla Gruevski nuk arriti ta formojë kabinetin, presidentit Gjorgje Ivanov, sipas analistëve, po i kalon afati dhjetë ditor për t’ia dorëzuar mandatin një kandidati tjetër, që do të duhej të ishte partia e dytë me më së shumti vota të fituara në zgjedhjet e 11 dhjetorit, në këtë rast LSDM.

Dy partitë tjera shqiptare, Lëvizja Besa dhe Lëvizja për Reforma kanë lënë të kuptohet se mund të hyjnë në koalicion qeveritar me LSDM-në, por kabineti qeveritar i Maqedonisë nuk arrin të formohet dot pa votat e BDI-së. LSDM ka 49 deputetë nga 120 vende të parlamentit. Qeveria mund të formohet me votat e shumicës së thjeshtë, apo 61 vota.

Ekspertët ligjorë mendojnë se presidenti Ivanov nuk ka pse bën konsulta dhe se ai duhet t’ia japë mandatin Lidhjes Social Demokrate për të formuar qeverinë, ashtu siç veproi pa u këshilluar kur i dha mandatin Nikolla Gruevskit të VMRO-së, i cili nuk siguroi shumicën.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike vlerësojnë se në Maqedoni mund të thellohet kriza nëse presidenti e zvarrit çështjen. Disa nga alternativat mund të jenë një qeveri e gjerë me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare, apo edhe zgjedhjet e reja.