Ja ku do të përdoret gjuha shqipe nëse arrihet marrëveshja LSDM-BDI

Ende nuk ka asnjë përgjigjë nga ana e partive politike për formimin e qeverisë së re në Maqedoni, ndërsa BDI-ja dhe LSDM-ja nuk kanë arritur ende një përgjigje përfundimtare.

Por, çfarë parashikon draft-ligji për gjuhën shqipe dhe ku do të gjejë ajo përdorim?

Draft-ligji parashikon një përdorim të gjerë të gjuhës shqipe në Kuvend, si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Drejtuesit e Kuvendit, në rast se janë shqiptarë, do të mund t’i drejtojnë seancat në gjuhën e tyre amtare, ndërkohë që të gjitha aktet që do të nxirren, do të jenë gjithashtu në dy gjuhë.

Me draft-ligjin për përdorimin e shqipes, parashikohet nisja e zbatimit të shqipes edhe në ekzekutiv, ku ministrat për herë të parë do të mund të flasin në seancat qeveritare në shqip, ndërsa zgjidhja parashikon që shqipja të zbatohet edhe në të shkruar, si dhe në relacionet e qeverisë me institucionet e tjera.

Pra, draftet e dala nga Qeveria do të shkojnë direkt në Kuvend apo organe të tjera, në të dyja gjuhët, përcjell Albeu.com.

Por, shqipja nis zbatimin edhe në sistemin gjyqësor. Aktet noteriale do të jenë gjithashtu edhe në shqip.

Megjithatë, në seancat gjyqësore ka ende paqartësi për shkak të ndërlikimeve që do të rrjedhin nga zbatimi i dygjuhësisë, varësisht palëve, ekspertëve të angazhuar si dhe dorëzimit të dispozitivëve etj.

Gjuha shqipe do të përdoret edhe në rajonet ku nuk jetojnë shqiptarë. Kjo masë pritet të përfshijë edhe tabelat nëpër vendkalimet kufitare.

Kërkesa e tyre për dokumente apo nevoja të tjera parashtrohet në shqip, ndërsa përgjigja do të kthehet sërish në shqip nga organet komunale, por pasi të jetë përpunuar nga një agjenci e posaçme në nivel republikan, e cila do të merret ekskluzivisht me përkthimin dhe dorëzimin të kërkesës drejt qytetarëve brenda afatit 1 orësh.

Po ashtu, në kuadër të këtyre zgjidhjeve, parashikohet edhe një Inspektorat që do të monitorojë veprimtarinë e Agjencisë, cilësinë e përkthimit, si dhe zbatimin e gjithë dispozitave që dalin nga draft/ligji për gjuhën.

Dokumentet personale, si letërnjoftimet, certifikatat, pasaportat etj., me draft-ligjin për shqipen do të jepen në mënyrë automatike në gjuhën respektive të qytetarit, pa nevojën sikurse deri më tani, të dorëzimit të një kërkese për gjuhën që kërkonte qytetari.

Gjuha shqipe do të gjejë përdorim edhe në kartmonedha, në komandën e policisë dhe atë ushtarake.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu edhe përshtatjen e tabelave edhe në gjuhënshqipe, sikurse ajo e Kuvendit dhe institucioneve të tjera.