Ja kur nisin akuzat dhe hetimet e para kundër UÇK-së

Zëdhënësja e Speciales, Avis Benes, ka konfirmuar për “Zërin” se detyra e parë e presidentes Ekaterina Trendafilova do të jetë përgatitja e seancës plenare me gjyqtarët. Akuzat e para pritet që të nisin në gjashtëmujorin e parë të këtij viti

Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, edhe zyrtarisht ka nisur punën e saj në konsolidimin e ekipit i cili do të merret me hetimin e krimeve të UÇK-së. Caktimi i gjyqtarëve të cilët do të merren me rastet konkrete është hapi i ardhshëm i madh që kjo Gjykatë do ta bëjë. Këtë për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar zëdhënësja Avis Benes.

Ajo i ka thënë gazetës se detyra e parë e presidentes Trendafilova do të jetë përgatitja e seancës plenare me gjyqtarët. “Presidentja Trendafilova ka marrë tashmë detyrat e saj. Prioritet ka përgatitjen e seancës plenare me gjyqtarët (gjë e cila natyrisht do të jetë e mundur pasi që ata të caktohen)”, ka thënë Benes.