Ja politikanët që braktisën Kosovën për 9-vjetorin e Pavarësisë

Nga Blendi Gashi

Përvjetori i nëntë i pavarësisë tregoi qartë se është zbehur jo pak dëshira për të festuar tek kosovarët. Kjo u pa më së miri në Prishtinë ku sheshet kryesore nuk ishin të stërmbushura si vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, ku qytetarët qëndronin deri në orët e vona duke festuar.

Jo vetëm qytetarët, por edhe politikanë sivjet nuk treguan interesim për festimin e Ditës së Pavarësisë. Disa prej tyre mandje nuk qëndruan as në Kosovë, duke marrë rrugë në shtete të ndryshme, kryesisht në Francë ku vizituan liderin e AAK-së Ramush Haradinaj që po mbahet “peng” atje pas një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia, disa të tjerë qëndruan në SHBA e Suedi.

Ja kush janë politikanët që nuk ishin në Prishtinë për 9-vjetorin e Pavarësisë:

Albin Kurti deklaroi se nuk do jetë në Prishtinë më 17 Shkurt. Deputeti i Vetëvendosje-s paralajmëroi në një intervistë dhënë për mediat shqiptare ku tha se “edhe pas nëntë vitesh nuk gjej arsye për të festuar”.

Për këtë ditë ai qëndroi në Francë, derisa një natë më parë, pra mbrëmjen e 16 shkurtit vizitoi Ramush Haradinajn, me të cilin mund të kenë diskutuar për një ribashkim të mundshëm të frontit opozitar në kundërshtim të Demarkacionit që pritet të rikthehet në fillim të marsit për ratifikim në Kuvend.

Fatmir Limaj – një nga nëshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Më 2008 mbante pozitën e ministrit të Transportit dhe sigurisht ishte i lumtur që arriti të shkruajë emrin e tij në histori. Por, nëntë vjet më pas siç duket është zhgënjyer tej mase me shtetin për të cilin luftoi, saqë nuk qëndroi për të festuar. Ai qëndroi në Francë ku takoi liderin e AAK-së.

Shpend Ahmeti – kryetari i Prishtinës për pavarësi u përkujdes që të lëshojë në qarkullim autobusët e rinj dhe që për nder të kësaj dite linjat 1 dhe 4 në kryeqytet të ishin falas. Kjo u mirëprit nga qytetarët pasi autobusët qarkullonin më shpesh se çdo pesë minuta dhe nuk kishte pritje në stacione si vitet e kaluara.

Por, komuna që udhëheq ai nuk mori ndonjë vendim për organizimin e ndonjë aktiviteti kulturor. Megjithatë dekoroi kryeqytetin me flamuj të Kosovës.  Shpendi për këtë ditë qëndroi në Francë ku takuan një natë më parë liderin e AAK-së.

Rexhep Selimi – padyshim se është një nga ish-luftëtarët e UÇK-së që dhanë kontributin e tij për çlirimin e vendit. Gjatë dhe vitet e para të pasluftës kishte miqësi të mirë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, ku një video e fundit tregon se sa i afërt ishte me Veselin ku të dy shihen në një nga fshatrat me armë në dorë.

Por pas lufte prishi raportet me ta dhe iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje. Është një nga deputetët opozitarë që në vazhdimësi shpreh pakënaqësinë e tij me ecjen e shtetit.

Andaj, i zhgënjyer me pozitën në të cilin gjenden vendi ai vendosi që të braktisë këtë përvjetor, pasi qëndroi në Francë te Haradinaj.

Haxhi Shala – deputet i NISMA-s, njëherit ish-komandant në zonën e Dukagjinit. Edhe ky si Selimi si kapasur raporte të mira me presidentin e kryekuvendarin, pasi deri para pak vitesh ishte pjesë e PDK-së.

Por tani si bashkëfshatarë i Limajt, pasi të dy vijnë nga fshati Banjë e Malishevës, vitete fundit është një kritikë i qeverisë. Shala ndonëse përvjetorët e tjerë ka bërë homazhe tek ish-bashkëuftëtarët e vrarë këtë herë vendosi që së bashku me Limajn ta vizitojnë Haradinajn.

Dardan Molliqaj – sekretari organizativ i Vetëvendosje-s, opozitari që nuk ka frikë t’i kritikojë me gjuhë të ashpër krerët e shtetit.

Edhe ky ka bojkotuar përvjetorin e pavarësisë. Për këtë ditë të shënuar së bashku me vëllanë e tij ka qëndruar në Suedi ku kanë takuar vëllain tjetër që jeton atje.

Vjosa Osmani – deputetja e LDK-së që është kritikja më e ashpër e Isa Mustafës dhe përgjithësi koalicionit PDK-LDK, për festën e pavarësisë qëndroi në Amerikë ku zhvilloi disa takime atje.

Ilir Deda – ish deputet i VV-së, tashmë një nga themeluesit e partisë më të re në vend “Alternativës”, poashtu më 17 shkurt nuk ishte në Kosovë. Qëndroi në SHBA  me Vjosën ku zhvilluan disa takime atje me zyrtarë amerikan. /tesheshi.com/