Ja pse Suedia është vendi ideal për të krijuar familje

Suedia është vendi më i njohur për politikat sociale në lidhje me prindërimin. Fillimisht, qeveria suedeze ju paguan 80% të rrogës tuaj për 390 ditë, të cilat lejohen për t’u marrë pushim kur ju lindni një fëmijë. 90 ditë janë të vendosura për baballarët. Qeveria suedeze gjithashtu ka krijuar një bonus për “barazinë gjinore”, çka do të thotë se nëse prindërit ndahen me divorc, këto ditë pushimi ndahen në gjysmë për të dy ish-bashkëshortët.

Këto ditë pushimi mund të merren kur të dëshirojnë prindërit, deri kur fëmija të bëhet 8 vjeç dhe gjithashtu ligji është i njëjtë edhe për ata prindër që nuk janë të punësuar, ndërkohë që kanë një fëmijë. Nëse prindërit kanë më shumë se një fëmijë, mund t’i mbledhin ditët e pushimit që kanë për të gjithë fëmijët dhe të bëjnë një “arratisje” të gjatë me pushime familjare për muaj e muaj të tërë.

Gjithashtu, suedezët kanë një të drejtë për të punuar 75% të punës që kanë bërë përpara se të kishin fëmijë deri sa fëmija i tyre të bëhet 8 vjeç. Nëse doni që disa orë pune t’i bëni nga shtëpia, këtë mund ta bëni lehtësisht.

Në Suedi ka qendra me lojëra për fëmijët tuaj që janë deri në moshën 8 vjeç, kudo që të shkelni. Këto qendra janë “shkolla të hapura”, në të cilat ju mund t’i lini fëmijët kur të doni dhe sa herë të dëshironi, sigurisht pa pagesë. Brenda tyre do të gjeni dhoma ku prindërit mund të miqësohen me njëri-tjetrin duke pirë çaj apo kafe ndërkohë që fëmijët luajnë dhe mësojnë ndonjë gjuhë të huaj, sporte apo arte.