Ja si ndodhi aksidenti ku humbi jetën Ergi Dini dhe miku i tij

Përplasja fatale e këngëtarit Ergi Dini dhe shokut të tij Kejdi Halili ndodhi mbrëmjen e 21 nëntorit në Tiranë, disa metra larg urës që lidh zonën e Bllokut.

Tv Klan ka siguruar pamjet filmike të aksidentit që i mori jetën tragjikisht të rinjve.

Pamjet janë filmuar nga kamerat e sigurisë, ndërsa janë sekuestruar nga grupi hetimor, për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes. Në video dallohet momenti i përplasjet fatale të motorin me një shtyllë pranë rrugës rreth orës 21:15 minuta.

Nga pamjet filmike tregohet drejtimi i motorit që vjen nga pjesa e poshtme e bulevardit “Bajram Curri” ( ish- kinema Agimi) në drejtim të kryqëzimit të rrugës “Ibrahim Rugova”, që lidhet me zonën e ish-Bllokut për në drejtim të urës kryesore pranë ish-hotel Dajtit.

Zyrtarisht konfirmohet se semaforët në kryqëzimin e rrugës nuk kanë qenë funksional për shkak  se në zonë ishte ndërprerë energjia elektrike.

Siç shquhet në video, por dhe nisur nga disa dëshmitarë në vendin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit në pjesën sapo kalon kryqëzimin ka qenë duke udhëtuar me motorin në gomën e parë.

Fatal për humbjen e kontrollit ka qenë momentin kur Kejdi Halili ka tentuar të ulë gomën e parë të motorit.

Menjëherë motori ka devijuar në krah të djathtë të trotuarit, ku dy të rinjtë u përplasën me pemën dhe më pas në asfalt, çka duket se ka qenë dhe goditja që i ka dëmtuar më shumë dy të rinjtë.

Pavarësisht ndihmës së parë që iu është dhënë nga qytetarë të shumtë dhe shërbimi i urgjencës, Halili dhe Dini nuk kanë arritur t’iu shpëtojnë plagëve të marra.

Zyrtarisht policia deklaroi se në analizën paraprake rezulton se një nga faktorët determinant që iu ka shkaktuar vdekjen dy të rinjve është mungesa e kaskave mbrojtëse si për drejtuesin e motorit (Kejdi Halili) ashtu dhe për pasagjerin (Ergi Dini).