Ja si raportojnë mediat e huaja për takimin shqiptaro-serb!

Në Bruksel përfundoi mbrëmë vonë një raund i ri dialogut mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim morën pjesë delegacionet në nivelin më të lartë, por marrëveshje konkrete nuk ka.

Agjensitë e lajmeve botërore, Reuters, AP, AFP, DPA e APA shkruajnë se takimi shërbeu për uljen e tensioneve edhepse tensione thuhet të ketë patur gjatë tërë kohës.

Takimi i delegacioneve të Kosovës, të përfaqëuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa dhe homologëve të tyre nga Beogradi Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq, u cilësua si shumë i rëndë. Delegacionet ishin shumë të kujdesshme në deklaratat e tyre pas takimit në nivelin më të lartë dhe shikuar nga paraqitja e delegacioneve, marrëveshja e vetme serioze ishte që të vazhdohet me përpjekjet për zgjidhjen e problemeve.

Ndërkohë që takimi u mbajt pas tendosjeve shumë serioze të kohëve të fundit me ngritjen e murit në veri të Mitrovicës, arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë, përpjekjen e Serbisë për të futur në Kosovë një tren me mbishkrimet se „Kosova është Serbi” dhe reagimin e Kosovës me dërgimin e njësisë speciale, raportojnë mediat ndërkombëtare.

„Ka qenë një takim jo i lehtë, por i nevojshëm dhe domosdoshëm për uljen e tensioneve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por dhe për të biseduar hapat e mëtutjeshëm për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete”, theksoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke shtuar se ai shpreson „që Serbia pas këtij takimi do të ulë pretendimet e saj për të cënuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.”

“Serbia duhet ta njohë Kosovën”

Sipas presidentit Thaçi, „Serbia do të duhej ta njeh Kosovën sa më parë që është e mundur”. Por presidenti Thaçi nuk konfirmoi nëse takimet do të vazhdojnë së shpejti dhe kur. “Thirrjeve të Serbisë për luftë, ne i përgjigjemi me angazhimet për paqë dhe me proces për dialog dhe fqinjësi të mirë”, tha ai, duke shtuar se Kosova gjithmonë do të veprojë si shtet sovran dhe konform ligjeve të veta, për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin.

Delegacioni i Kosovës ka kërkuar që muri të rrënohet sa më parë në Mitrovicë, që është në kompetencat e institucioneve të Kosovës. “Por vazhdimi i veprimit të strukturave paralele në veri, dhe prezenca e trupave serbe atje, paraqet rrezik për Kosovën. Shteti i Serbisë në rast cënimi të sovranitetit, do ta marrë përgjigjen në përputhje me ligjin”.

Presidenti Thaçi tha se ata kanë hapur shumë çështje të rëndësishme në këtë takim, ndër to edhe çështja e fleëtëarresteve dhe mbrojtja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për dallim prej delegacionit të Kosovës, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq nuk lejoi asnjë pyetje.

Vuçiq nuk lejon pyetje

“Kemi pasur një takim jashtëzakonisht të vështirë. Vështirë që mund të kujtoj ndonjë takim më të rëndë se ky”, theksoi Vuçiq. Palët kanë konstatuar se pozicionet mes tyre janë diametralisht të kundërta. „Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, kemi arritur marrëveshje të vazhdojmë takimet, një seri takimesh të tjera të dialogut në nivelin më të lartë. Ne do të përpiqemi që të ulim tensionet dhe të sillemi në mënyrë të përgjegjshme për zhvillimet, duke mos folur keq për palën tjetër”, tha Vuçiq. Ai tha se do të kërkojë prej ministrave në Beograd që të sillet mbi bazën e kësaj marrëveshjeje. Vuçiq ishte „i sigurt se nesër dhe ditëve të ardhshme nuk do të ndodhin gjëra të cilat kanë ndodhur ditëve të kaluara”. Besoj se dialogu është mënyra e vetme dhe më e mirë për zgjidhjen e problemeve, theksoi Vuçiq, i cili dukej jashtëzakonisht i deprimuar gjatë paraqitjes para gazetarëve në Bruksel.

„Bisedimet janë të domosdoshme, sepse në këtë mënyrë ruajmë njerëzit në rajon, pavarësisht a janë shqiptarë apo serbë. Kështu dëshmojmë se nuk duhet të dëmtojmë palën tjetër”, tha Vuçiq duke konstatuar se „paqa dhe stabiliteti janë gjërat më të rëndësishme për të gjithë popujt në Ballkan”.

Nikoliq: çdo serbë do të luftonte për Kosovën

Për dallim prej Vuçiqit, presidenti Nikoliq u përgjigj gjërë e gjatë në pyetjet e gazetarëve, para takimit. Ai bëri të qartë edhe njëherë se Serbia kurrë nuk do ta njeh Kosovën dhe se “ai dhe çdo serb tjetër do të shkonte në Kosovë për të luftuar, në rast se cënohet jeta e serbëve të Kosovës”.