Ja skenarët e Ivanovit për mandatin për formimin e qeverisë

 

Zoran Zaev është në pritje të marrjes së mandatit nga presidenti Gjorge Ivanov për formimin e qeverisë së re, por besohet se Ivanov do ta japë mandatin deri në fund të kësaj jave.

Kryetari i Këshillit Euro-Atlantik, Ismet Ramadani thotë për “Portalb.mk”, se Ivanovi mund të mos e jep mandatin.

“Duke pas parasysh karakterin e Ivanovit dhe veprimet e tij, me oscilacione deri më tani në vendimet që i sjell gjithnjë të ndikuara nga VMRO dhe Gruevski, gjithçka mund të pritet.

Ai mund të mos e jep mandatin mirëpo kësaj radhe mendoj se është nxënë ngushtë dhe fjalën që e ka thënë para përfaqësuesit të SHBA-së, nuk besoj se do ta refuzojë, pasi ai në njëfarë mënyre na vuri në dijeni se do kërkojë ndihmën e SHBA-së në këtë drejtim.

Dhe nga e gjithë kjo që po ndodh si komunikim midis Zoran Zaev dhe Ivanovit ose kabineteve të tyre, lë përshtypjen sikur po hekurosen ato kundërshtime mes këtyre dyve dhe gjithnjë e më afër është besimi se mund ta jep mandatin”, tha Ramadani.

“I vetmi kalkulim i tij në këtë rast mund të jetë ndonjë frikë nga VMRO-ja e cila është e paparashikueshme në veprimet e veta kur është në pyetje destruktiviteti dhe me një arsyetim të imagjinueshëm mund të mos e jep mandatin, por megjithatë pak e shohim atë logjikën e kronologjisë së ngjarjeve pas ardhjes së përfaqësuesit të SHBA-së, ka indikacione sikur edhe VMRO-ja ka pranuar faktin se është në opozitë dhe nëse e gjithë kjo merret si indikacion, atëherë mund të pritet që Ivanovi të jep mandatin”, shtoi Ramadani.

Edhe Petar Arsovski sqaron dy skenarët e mundshme që mund të ndodhin me vendimin e Ivanovit, atë të mos dhënies dhe dhënies së mandatit për formimin e Qeverisë.

Frika ekzistuese sipas Arsovskit është që Ivanov të bëjë ndonjë budallallëk të radhës, por megjithatë sipas tij qeveri do të ketë.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që ai sërish të bëjë ndonjë budallallëk dhe të mbesim pa qeveri, por sipas paralajmërimeve qeveri gjithsesi do të ketë pasi ajo mund të votohet në parlament”, shtoi Arsovski/albeu.com/