JANË ARRESTUAR PESË SHTETASE TË HUAJA NGA NJË KAFENE E GOSTIVARIT

Në një aksion të policisë, i cili mbrëmë është zbatuar në Gostivar, janë zbuluar dhe arrestuar pesë shtetase të huaja, informojnë nga SPB Tetovë. Sipas zëdhënësit të SPB Tetovë, Marijan Josifovski në objektin hotelerik “Meksiko Siti” në rrugën “Ilindenska” në Gostivar , diçka pas mesnate, janë kapur shtatë vajza të moshës prej 23 deri 38 vjeçare. Ato në lokal kanë qenë të angazhuara t’i argëtojnë mysafirët si këngëtare dhe valltare.

Pas arrestimit është konfirmuar se dy janë shtetase të Republikës së Maqedonisë, tre nga Shqipëria dhe dy nga Kosova. Pronari i lokalit R.B (43) dhe shtetaset e Maqedonisë pas bisedës janë liruar, ndërsa shtetaset e huaja janë arrestuar në sektorin për krim ndërkufitar, emigrim të huaj dhe riatdhesim.

Sot në mëngjes, nën dyshimin se i kanë keqpërdorur vizat turistike për qëndrim në vend, ato janë nxjerrë para gjykatësit të Gjykatës Themelore Gostivar. Në aksionin e fundit është arrestuar edhe I.H (53) nga Dobridolli, i cili i ka nënçmuar dhe fyer nëpunësit policorë. Këtë vit, në disa lokale në Gostivar, janë arrestuar dhjetë shtetase të huaja, të cilat gjithashtu në vend kanë punuar, e me këtë rast nuk kanë pasur leje për punë.