Janeva: Nuk kam frikë, kam mbështetjen e Gruevskit

Prokurorja Speciale Katica Janeva ka parashtruar tre kërkesa në seancën e Komisionit për sistem politik, ku ishte e ftuar për të raportuar për punën e institucionit që drejton në 6 muajt e kaluar. Janeva, mes tjerash kërkoi shtyrjen e afatit ligjor prej 18 muajve për PSP-në. Ajo tha se ka nuk ka frikë nga ballafaqimi me deputetët dhe se raporti i saj ka mbështetje edhe nga ish kryeministri Nikolla Gruevski.

”Nuk frikësohem të përgjigjem në asnjë pyetje sepse kam mbështetjen edhe të ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Ju lutem si institucion ligjvënës ta ndryshoni nenin 22 dhe ta prolongoni afatin prej 18 muajve që të mund tërësisht të hetojmë kush dhe si ka përgjuar. E dyta, kërkoj të miratoni ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe e treta ti zbatoni rekomandimet e komisionit të Venecias sepse me rëndësi është që qytetarët të dinë se kush dhe si ka përgjuar”, deklaroi Prokurorja speciale, Katica Janeva.

Por, shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski, tha se tek shumica e deputetëve nuk ekziston gatishmëri për të shtyrë afatin ligjor për funksionimin e Prokurorisë Speciale. Ai akuzoi zonjën Janeva se mban anën e LSDM-së ndërsa tha se në raportin e PSP-së mungojnë shumë të dhëna.

“Zonja Janeva, a nuk mendoni se lejuat që gjithë opinioni të krijojë përshtypje se mbani anën enjë partie dhe mbroni një subjekt tjetër. Si është e mundur që ngritët procedurë kundër kryetarit të komunës së Manastirit Vlladimir Talevski dhe nuk e bëtë të njejtën edhe kundër kryetarit të Strumicës Zoran Zaev. Bëhet fjalë për raste identike për tenderim por me një dallim, komuna e Strumicës ka shpenzuar tre herë më shumë mjete nga ajo e Manastirit për transportin e nxënësve”, tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja thanë se pushteti po kritikon dhe pengon punën e PSP-së për shkak se kjo prokurori ka nisur hetime për shumë drejtues të VMRO-DPMNE-së.

“Lidhur me raportin, zonja Janeva më duhet të shpreh dëshpërimin tim sa i përket numrit të vogël të lendeve që keni nisur të hetoni. Jam i vetëdijshëm se në Maqedoni me vite nuk është zbatuar drejtësia si duhet dhe nevoja për drejtësi tek një numër i madh qytetarëve ishte në nivel të lartë dhe kur u themeluar PSP-ja pritjet ishin të larta. Mendoj se duhet të kishte më tepër lëndë, por jam i vetëdijshëm për pengesat që i bën pushteti institucionit tuaj”, tha Petre Shilegov , LSDM.

Deputeti i BDI-së, Rafis Aliti, tha se VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja ka ndarë në baza partiake prokurorët, ndërsa pyeti zonjën Janeva nëse ka filluar hetime për rastin “Monstra”, “Sopoti” dhe “Lagja e Trimave”.

“Direk do ti parashtroj pyetje zonjës Janeva a do ta merr ta shqyrtojë rastin Monstra sepse gjithë qytetarët presin që të shohin se cfarë ka ndodhur sepse është një rast që e ngarkon ambientin publik dhe do të ishte në interes të të gjithë qytetarëve të zbardhet ky rast dhe drejtësia”, tha Rafis Aliti, BDI.

Janeva ka thënë se do ti përgjigjet deputetëve pasi të përfundojnë të gjitha pyetjet. Seanca është shoqëruar me shumë polemika dhe akuza mes deputetëve për renditjen në listën e fjalimeve. Deputetët e PDSH-së ndonëse kanë marrë pjesë në seancë por nuk kanë parashtruar pyetje, ndërsa gazetarëve u kanë thënë se ndjehen të qetë në kohën kur të tjerët janë të trishtuar. Në seancë ka qenë prezent edhe prokurori publik Marko Zvrlevski, i cili ishte ftuar për ta prezantuar raportin për punën e Prokurorive Publike në vitin 2015.

Rijad Murati