Jetë e vdekje bashkë!Shkruan: Sefer Tahiri

Nuk e kanë vetëm shqiptarët këtë fat, që shpesh të jenë në kufirin e hollë midis jetës dhe vdekjes, por shqiptarët është e vërtetë që e kanë përjetuar shpesh dyluftimin midis mbijetesës dhe tendencave vrastare! Fat i keq, por të keqes i përballojnë vetëm të fuqishmit, ata që kanë zemër çeliku!

Sot është 6 maji, i këtij muaji që së bashku me diellin pranveror sikur na vjen për të na ndriçuar mendjen, në këtë stinë e cila bashkon në mënyrë simbiotike gëzimin dhe mërzinë, molisjen dhe dëshirën për të “lëvizur” malet!

Ky është maji që na kujton gjithmonë se jeta dhe vdekja për shqiptarët gjithmonë kanë bashkëjetuar!

Sot, më 6 maj forcat serbe i morrën jetën njërës nga mendjet më të ndritura të mendimit politik në Kosovë, Prof. Dr. Fehmi Aganit!

Njëri ndër intelektualët më të mëdhenj të Kosovës, bashkëpunëtor i afërt i Aganit, Prof. Dr. Milazim Krasniqi sot duke përkujtuar ndarjen nga jeta të akademikut Fehmi Agani. plot me dinjitet dhe me vargje që të rrënqethin trupin kishte përkujtuar këtë figurë të madhe kombëtare e intelektuale, figurë mendimtare. Titulli i poezisë ishte “Kthimi i Fehmi Aganit”.

Ballë për ballë jam me vrasësit e mi,

Ata e kanë në mendje kohën që nuk kthen

Ndërsa unë veç ëndrrën për liri.

Fusha e Kosovës shtrihet e paanë

Një zë më thotë nga brenda, nisu, fluturo!

Dëgjoj të shtëna, nuk di se ku jam

Por e di mirë që i vdekur jo!

Më kthyen që të më vrisnin, të marrët

Në zemrën e atdheut tim të shtrenjtë,

Por, vetëm sa më ngriten me fitimtarët

Si për çudi Zoti akrepin e orës kombëtare sot e ktheu në ditë drite, jo vetëm për shkak të diellit të verdhë që shkëlqente me tërë magjinë e tij që vetëm i madhi Zot ia mundëson njerëzisë!

Në këtë ditë diellore, Dr. Ziadin Sela iu kthye të afërmëve, fëmijëve të tij që të bëjnë të ndjehet mirë çdo njeri, të gjithë, pa dallim partie, feje, krahine apo nahije. Dhe shtëpia e tij u hap për të gjithë. Po, se Kanuni thotë “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”. Nuk ka popull tjetër në botë që përshkruan në një varg, kaq bukur gjithë filozofinë popullore. Nuk ka!

Para disa ditësh u gëzuam për kthimin e Ramush Haradinajt! Dhe sot kur sheh kaq shumë njerëz që gëzohen, si Dreni im që iu gëzua diellit, nuk di njeriu ç’të bëjë, të gëzohet ose të mërzitet.

Vërtetë jetë e vdekje bashkë….