Ndotësi më i madh i ajrit në Pollog nuk respekton afatin ligjor për vendosjen e sistemit të filtrave. Mësohet se fabrika ende nuk ka filluar të merret me këtë çështje. Qytetarët e Tetovës shprehen pesimist se ndonjëherë Qeveria do të zgjedh këtë problemi të rajonit të Pollogut.

“Para fushatës ato thonë se do ta bëjmë për poenë politik por nuk ka dicka konkrete. Unë nuk mendoj asnjëherë se do të zgjidhet ky problem, nuk ka kushte. Ne shkojmë prapa, dhe nuk po përparojmë , ky është problemi. Nuk shoh arsye se do të bëhet më mirë. Politika është e atillë e keqe që nuk po punohet”

“Duhet të punojë dikush për atë, këto nuk punojnë aspak, thonë po por sapo kalojnë zgjedhjet i harrojnë të gjitha. Askush nuk mendon as për mbylljen e tij, as për stopimin e punës. Si ja kanë filluar ashtu edhe do vazhdojnë ato , ndryshime nuk ka aspak. Me gojë flasin , por me punë askush”

“Unë 30 vite kam punuar në Jugohrom . Para 50 viteve flitej se do të vihen filtrat, ja ende nuk janë vendosur”

“Na mbyti të gjithëve ndotja. Jo vetëm neve që jemi në moshë por edhe fëmijëve, ata janë më keq. Ka 15 vite që thonë do vihen sot do vendosen nesër dhe asgjë nuk ka. Asnjëherë nuk bëhet ajo punë, të gjithë me gënjeshtra punojnë”

Ambientalistët thonë se Institucionet shtetërore urgjentisht duhet të ndërmarrin masa dhe të mbrojnë interesin e qytetarëve.

“Duke pasur parasysh se kombinati Jugohrom një kohë të gjatë apo asnjëherë nuk ka pasur filtra, vendosja e këtyre filtrave do të ishte shumë e rëndësishme, për shkak se do të pengonte imitimin e këtyre grimcave në në atmosferë, gjegjësisht shpërndarjen në distanca më të mëdha. Ka ardhur koha që institucionet shtetërore të ndërmarrin masa për të zgjidhur këtë çështje, sepse janë tejkaluar të gjitha afatet e parapara nga vetë shteti”, u shpreh Hasan Idrizi, ambientalist.

Iljas Iljasi konsideron se qytetarët e Tetovës duhet të bëjnë më shumë për t’i zgjuar nga gjumi institucionet shtetërore të vendit me qëllim që ky problem i banorëve të rajonit të Pollogut të zgjidhet.

“Zgjidhja e kësaj është që njëherë populli të vetëdijesohet , të mos e pret momentin kur më nuk ka se çfarë të ndërmerret për ndotjen, dhe të tregonin zërin e vet se ky nivel i ndotjes është i rrezikshëm. Tetovarët duhet ta ngrenë zërin, të kërkojnë prej Qeverisë së pse kjo çështje prolongohet kaq shumë, pse tolerohet Jugohromi aq shumë mbi vendosjen e filtrave”, tha Iljas Iljasi, ekspert i ambientit.

Kombinati metalurgjik “Jugohrom” kishte shkelur të gjitha afatet e paralajmëruara për vendosjen e filtrave, ndërsa ekzekutivi vazhdimisht i ka dhënë afate shtesë për punë. Jugohromi në ditë lëshon 210 ton pluhur në ajër.

Vjollca Aliti