Jugohromi nuk do të mund të rifilloj me punë pa vendosjen e filtrave

Ministria e ambientit jetësor ka hedhur poshtë kërkesën e drejtuesve dhe të sindikatës së Jugohromit për rifillimin me punë të metalurgjikut nga nga marsi deri në dhjetor. Ministri Bashkim Ahmeti ka qenë i prerë se pa vendosjen e filtrave që sigurojnë mbrojtjen nga ndotja nuk mund të diskutohet për aktivizimin e Jugohromit. Për çështjen e kombinatit do të diskutohet edhe në qeveri.

Të vetmen gjë që mund ta them nga takimi I sotëm është se ministri na dha premtim se Jugohromin si problem do ta shtjellojë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, dhe aty do të shihen të gjitha mekanizmat e mundshëm që të gjendet një zgjidhje pozitive për ne – tha Vasko Skenderovski, menaxher i Jugohrom-it.

Ndërkohë nga Sindikata kërcënojnë me protesta dhe bllokada në rast se qeveria nuk merr ndonjë vendim në interes të punëtorëve.

Nëse nuk arrihet që punët në atë stacion filtrues të përmbyllen në afatin e caktuar, atëherë ne vetë do të kërkojmë mbyllje të përhershme të kombinatit. Nuk po investohet në atë projekt -deklaroi Bajram Amiti, Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Jugohromit.

Nga Sindikata thanë se kanë bërë kërkesë për takim edhe me kryeministrin Dimitriev, por deri në këto momente nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Jugohromi u mbyll pas presioneve të shumta të banorëve dhe shoqatave ekologjike të cilët për muaj të tërë protestonin për shkak të ndotjes së madhe të ajrit që vinte nga oxhaqet e këtij kombinati./alsatm