Jugohromi vazhdon të mbetet ndotësi më i madh i ajrit në Pollog

Jugohromi vazhdon të jetë ndotësi më i madh i ajrit në Pollog. Në këtë kombinat akoma nuk janë vendosur filtrat, edhe pse afati skadon këtë muaj. E para e Tetovës Teuta Arifi tha se do të kërkojë nga Qeveria që të paktën gjatë stinës së dimrit t’i ndërpresë punën Jugohromit.

“Ky kapacitet industrial duhet patjetër të ndalojë së punuari deri në fund të marsit 2017, nga shkaku se gjatë këtyre muajve kritik treguesit e ndotjes së ajrit në Tetovës tregojnë shifra alarmante. Qeveria e Maqedonisë duhet të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për problemin e lartë-përmendur dhe urgjentisht të marrë përgjegjësi për dëmshpërblimin dhe kompensimin e të punësuarve në këtë kapacitet industrial për periudhën derisa ky kapacitet është i mbyllur”, deklaroi Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Arifi këto komente i bëri gjatë promovimit të projektit “Pema e Qytetit”, e cila duhet të reduktojë ajrin e ndotur në këtë qytet. Projekti i cili kushton 25 mijë euro mbështetet nga ambasada e Gjermanisë organizata Ekosvest dhe donatorë privat.

Bashkim Sulejmani