Junker: Kthimi i dënimit me vdekje në Turqi, fund i negociatave për në BE

Bashkimi Evropian duhet t’i vazhdojë negociatat për hyrje me Turqinë, por kthimi i dënimit me vdekje pa dyshim do t’i vë fund procesit, deklaroi dje kryetari i Komisionit evropian, Zhan Klod Junker.

Turqia e ka hequr dënimin me vdekje në vitin 2004 në kuadër të fushatës për anëtarësim në BE. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi se do ta miratojë kthimin e dënimit me vdekje, nëse Parlamenti e miraton këtë masë ose nëse ajo përkrahet në referendum.

Në Berlin, në debat me studentë për të ardhmen e Evropës, Junker deklaroi se është kundër ndalesës së negociatave me Turqinë në këtë moment.

Sipas Junkerit, përfaqësuesit evropianë duhet të vazhdojnë të tentojnë ta bindin Turqinë se në interes të saj është të reformohet dhe të lëviz drejt BE-së, në vend se t’ia kthejë shpinën Evropës dhe vlerave të saj.

“Nuk e di nëse ndonjëherë Turqia do të bëhet anëtare e Unionit”, tha Junker.

Ai potencoi se në një bisedë me Erdoganin paradokohe ka bërë me dije se kthimi i dënimit me vdekje do të jetë “linja e kuqe” në negociatat për hyrje.

Erdogan javën e kaluar në Bruksel u takua me Junkerin dhe me kryetarin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk. Pas bisedave, presidenti turk deklaroi se ka marrë program njëvjeçar për ripërtëritje të negociatave.