Kadriu: Shtyrja e shpërbërjes së Kuvendit, shkelje e Kushtetutës (VIDEO)

Edhe përkundër detyrimit kushtetues për shpërbërjen e kuvendit 60 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve, kjo gjë është vënë në pikëpyetje. Profesori i të drejtës kushtetuese Osman Kadriu vlerëson se shtyrja e afatit për shpërndarjen e institucionit ligjvënës përbën shkelje të Kushtetutës. Ai ka kundërshtuar interpretimet e ndryshime të ligjit për qeverinë nga ana e disa politikanëve, që në disa raste kishin deklaruar se Kuvendi mund të shpërndahet edhe 45 ditë para zgjedhjeve. Kadriu propozon që zgjedhjet të shtyhen për aq ditë sa do të vonohet shpërndarja e kuvendit.

“Nëse me çdo kusht insistohet që të mos ketë shtyrje edhe të terminit të caktuar për zgjedhjet domethënë jashtë terminit për të cilin mendohet se do të mbahen zgjedhjet më datë 11 dhjetor, atëherë do të vijë në pyetje edhe legjitimiteti i zgjedhjeve, do të vihet në pikëpyetje kushtetutshmëria e zgjedhjeve, meqenëse përsëris punohet për veprime të cilat ushtrohen jashtë kornizës së afatit të cilin afat e ka caktuar vetë kushtetuta. Në qoftë se për aq kohë sa parlamenti do të vazhdojë punën duke u nisur nga data e sotme, për aq kohë të shtyhen edhe zgjedhjet në dhjetor”, deklaroi Osman Kadriu, ekspert juridik.

Në pushtetin legjislativ kanë ngelur edhe disa çështje të pazgjidhura siç është miratimi buxhetit për vitin e ardhshëm dhe për rregullimin e çështjes së njësive zgjedhore. Në procedurë kanë ngelur edhe propozim ligji për Prokurorinë Speciale dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Për të gjitha çështjet e hapura të premten në Shkup me liderët e partive kryesore pritet të bisedojnë komisionari për zgjerim Johanes Han. Ai do të vizitojë edhe Prokurorinë Speciale. Zyrtari I lartë evropian vjen në Shkup për të inspektuar përmbushjen e reformave të nevojshme për zgjedhje demokratike më 11 dhjetor./alsat-m