Kaos në “Elbasan Arena”, përplasje mes policisë dhe tifozëve

Ndeshja Partizani-Skëndërbeu në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan është kthyer në një fushë betejë mes tifozëve dhe uniformave blu.
Si pasojë e incidentit kanë mbetur të lënduar disa tifozë, mes tyre dhe një vajzë e re, e cila u shoqërua me ambulancë drejt spitalit të qytetit të Elbasanit pasi pësoi konvulsione dhe alivanosje.
Një pjesë e tyre janë transportuar drejt spitalit, ndërsa të tjerë kanë marrë mjekim në fushë.
Gjithçka ka nisur në minutën 83’, kur në fushën e blertë do të ndërpritej ndeshja.
Futbollisti Vangjeli i Skëndërbeut dëmtohet dhe gjakoset në një tentativë për të ndalur Torasën që po nisej në kundërsulm.
Tifozët e Partizanit do të protestonin, duke kërkuar karton të kuq për Vangjelin. Policia përleshet me tifozët për të ndalur futjen e tyre në fushë.
Blutë nuk nguruan të përdornin forcën ndaj tifozëve, si pasojë e të cilës shumë tifozë mbetën të plagosur.
Janë dashur 13 minuta që arbitri i ndeshjes të vendoste për ti dhënë kartonin e dytë të verdhë Vangjelit, duke e lënë Skëndërbeun me 10 lojtarë në fushë.
Takimi rifilloi në minutën e 90+7’ dhe përfundoi me rezultatin 0:0.

perleshje3