KASAMI I BESËS DHE ZENDELI I RDK-SË I FTOJNË NË TAKIM SELËN E LR-PDSH-SË DHE OSTRENIN E UNITETIT

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe ai i RDK-së, Fadil Zendeli, u kanë shkruar letër liderëve të partisë LR-PDSH dhe Uniteti, Ziadin Sela dhe Gëzim Ostreni për një takim të përbashkët të partive të reja opozitare shqiptarë në Maqedoni.

Ja dhe letra e plotë e kryetarit të BESËS, Bilall Kasami dhe ai i RDK-së, Fadil Zendeli.

“I nderuari z. Zijadin Sela, kryetar i LRPDSH-së,

I nderuari z. Gëzim Ostreni, kryetar i UNITETI-t,

Ju shkruajmë me dëshirën dhe vullnetin e mirë për një takim të përbashkët të partive të reja opozitare shqiptare në Maqedoni. Duke konstatuar se komisionet e formuara nga dy partitë tona nuk mund ta shtyjnë më tej këtë dialog, Ju ftojmë që të mërkurën (më 12.10.2016) në orën 12.00 në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup të takohemi bashkërisht për t’i diskutuar mundësitë e këtij bashkëpunimi.

Pasi që tashmë kemi arritur një koalicion ndërmjet BESËS dhe RDK-së, por nuk e kemi solemnizuar duke pritur zgjerimin e tij, po e marrim ne iniciativën (gjithnjë duhet të gjendet dikush që e bën hapin e parë) që ta organizojmë këtë takim të përbashkët me pjesëmarrje të kryetarëve të partive përkatëse, për të dhënë fillimisht frymën e bashkëpunimit, që pastaj do të rezultojë me komunikimin dhe dialogun e grupeve të punës, që ato të mund ta vazhdojnë procesin e bashkërendimit të aktiviteteve për arritjen e këtij synimi.

Duke pritur përgjigjen Tuaj.

Me nderime