Këpucë ‘made in Kosova’ për ushtrinë e policinë serbe

Drejtori i fabrikës “Obuqan” në Beograd, ka ardhur në Suharekë që të blejë këpucë e çizme që prodhohen në fabrikën kosovare “Solid”.

Edhe pse Misinoviq nuk dëshiron të deklarohet  se këto mbathje janë të dedikuara për Policinë dhe Ushtrinë e Serbisë, ai pranon se janë të dedikuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shtetit të tij.

“Mallrat e ‘Solidit’ janë shitur mirë në tregun tonë. Nuk kisha pasur dëshirë që të politizohet çështja, por mund t’iu them se mallin të cilin do ta blejmë është i dedikuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thotë Misinoviq  për RTK.

Po ashtu edhe drejtori i fabrikës së këpucëve në Vrajë, Radir Novkoviq, bën shpesh porosi për këpucë në këtë fabrikë  në Kosovë, raporton RTK.

“Menjëherë pas luftës ne kemi nisur bashkëpunimin me fabrikën Solid. Në fillim e kishim pak të vështir për shkak të rrethanave të pasluftës, por që nga atëherë e deri më sot kemi qarkullim vjetor prej 500 mijë eurosh dhe jemi shumë të kënaqur me mallin nga Kosova”, thotë Novkoviq për RTK, transmeton Lajmi.net.

Ndërsa pronari i kompanisë “Solid” thotë se Shefqet Kuqi, kanë pasur bashkëpunim para luftës, por ishin rrethanat që e ndërprenë  bashkëpunimin.

“Unë kam pasur bashkëpunim para luftës, por për shkak të luftës nuk ka ardhur deri tash. Deri më tani kanë marrë këpuca përmes një italiani, është dashur një italian që të na ndërmjetësoj dhe të na njoftojë”, ka thënë pronari i kompanisë “Solid”.